Këshilli Bashkiak i Bulqizës dështon në zgjedhjen e sekretarit të ri

1358
Në të majtë, kandidati për sekretar, Klodian Reçi. Në të djathtë, anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Këshilli Bashkiak i Bulqizës ka dështuar të zgjedhë sekretarin, pas një procesi votimi me një kandidat në garë. Vendimi për të vijuar votimin me vetëm një kandidat, Klodian Reçi, u mor nga kryetari i këshillit, pasi kandidatja tjetër për këtë pozicion, u tha se nuk përmbushte kriterin arsimor për master shkencor.

Që në fillim të seancës pati debate të shumta ndërmjet anëtarëve të opozitës, kryetarit të këshillit dhe kandidatit Reçi. Opozita në këshill ngriti shqetësimin se kandidati për këtë pozicion nuk kishte arsimin përkatës, pasi në dosje kishte diplomën e masterit para asaj të baçelorit.

“Ja ku është dosja dhe unë nuk di që masteri mbarohet para baçelorit. Prandaj kandidatja tjetër nuk duhet të përjashtohet, pasi të dy kandidatët kanë të njëjtin nivel arsimi. Diploma që paraqet Reçi është nga Universiteti ‘Nëna Mbretëreshë Geraldinë’ në Burrel, që siç e dini, ka vepruar me programe studimi të pa akreditura.”, tha në sallë Shaqir Manjani, anëtar nga radhët e opozitës.

Disa javë më parë, ish-sekretari i Këshillit Bashkiak të Bulqizës, Fitim Balla, u arrestua nën akuzën e lëshimit të vërtetimeve të origjinës në këmbim të pagesave monetare për marrjen e shtetësisë bullgare. Që prej arrestimit, pozicionin e sekretarit e ka ushtruar një anëtar i këshillit.

Votimi për zgjedhjen e sekretarit të Këshillit bëhet i fshehtë dhe duhet të sigurojë shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit. Në votimin e sotëm, në këshill votuan vetëm 15 anëtarë nga 21 në total. Në përfundim të procesit të numërimit të votave, Reçi, si kandidat i vetëm në garë, arriti të merrte 8 vota pro, 6 kundër, ndërsa një votë ishte e pavlefshme.

Komisioni i votimit në këshill e shpalli si jofitues Reçin, pasi duhej të siguronte 50% +1 të votave për këtë pozicion, duke çuar kështu në rihapjen e garës për sekretar.