Anëtarët e këshillave bashkiak Bulqizë dhe Mat e shtyn për mbledhjen e ardhshme, dhënien e mendimit për rritjen e çmimit të ujit. Përmes një kërkese drejtuar këshillave bashkiak, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër Sh.A, me administrator Mario Bakalli, kërkon unifikimin e tarifave për konsumatorët familjarë, klientët publikë dhe ata privatë. Si referim, UKD do të marrë tarifat e miratuara nga ish-ujësjellësi në bashkinë Dibër, që ka aplikuar tarifat më të larta.
Në Këshillin Bashkiak të Bulqizës, një kërkesë e tillë për mendim, hasi kundërshti të forta nga shumica e anëtarëve. Ata ngritën një sërë shqetësimesh kundrejt UKD-së, duke vënë theksin tek problemet e shumta në furnizimin e qytetarëve me ujë, por edhe investimet e çuara dëm. Këshilltarët në Bulqizë, sollën në vëmendje të dy përfaqësuesve të UKD-së, se në shumë njësi administrative, ka vetëm disa orë në ditë ujë dhe largimi i ujërave të ndotur nuk ofrohet si shërbim.
Aktualisht, banorët e qytetit të Bulqizës paguajnë 25 lekë/m³ për furnizimin me ujë ndërsa për largimin e ujërave të ndotur tarifa është 10 lekë/m³. Me çmimet e reja, qytetarët e Bulqizës do të paguajnë 27 lekë/m³ për furnizimin me ujë, ndërsa për largimin e ujërave të ndotur, tarifa mbetet e pa ndryshuar.
Në Këshillin Bashkiak të Matit, kërkesa nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër për unifikimin e çmimeve, kishte mbërritur vetëm pak minuta para se të niste mbledhja. Anëtarët e kundërshtuan dhe e konsideruan si “papërgjeshmëri” dhënien e një mendimi që prek mijëra qytetarë, me një kërkesë të dorëzuar vetëm pak minuta para nisjes së mbledhjes. Ata kërkuan që për dhënien e një vendimi të tillë, të zhvillohen dëgjesa publike dhe të shikohet gjendja ekonomike e banorëve të zonës. Disa nga anëtarët në Mat e konsideruan si jo të drejtë, që për unifikimin e çmimeve të merret tabela nga ish-ujësjellesi i Dibrës, për sa kohë në Burrel, ujësjellësi ka pak kosto pasi është me rrjedhie të lirë dhe nuk kërkon pompim dhe shpenzim energjie.
Nga tarifat e reja, rritjen më të madhe të çmimeve, do ta kenë banorët e bashkisë Mat. Aktualisht, banorët e qytetit të Burrelit paguajnë 23 lekë/m³ për furnizimin me ujë ndërsa për largimin e ujërave të ndotur tarifa është 2 lekë/m³. Me çmimet e reja, qytetarët e Burrelit do të paguajnë 27 lekë/m³ për furnizimin me ujë, ndërsa për largimin e ujërave të ndotur, tarifa do të jetë 10 lekë/m³.
Këshillat Bashkiak Bulqizë dhe Mat e shtyn dhënien e mendimit për unifikimin e çmimit të ujit, për në mbledhjet e ardhshme.
Me çmimet e reja, rritja më e ndjeshme do të jetë për tarifat e lidhjes së abonentëve familjarë dhe privat. Në Bulqizë, aktualisht çmimi për miratim pikë lidhje familjare është 2500 lekë, në Mat e Klos me 3000 lekë; tarifa e unifikuar do të shkoj në 5000 lekë. Ndërsa çmimi i unifikuar për miratim e pikë lidhjes për bizneset private do të jetë 10,000 lekë. Si abonentët familjar dhe ato privat, do të të paguajnë edhe për ndryshimin e emrit në kontratë, me çmimin 1000 lekë.
Prej shtatorit të vitit 2022, në kudër të reformës së ujit, do të themelohej Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Dibër. Zotërues të shoqërisë janë: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që kontrollon 51% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve zotërohen nga katër bashkitë e qarkut Dibër.
Nga fillimi i procesit të bashkimit të ujësjellësve që synon rritjen e eficiencës së sektorit dhe përmirësimin e situatës financiare, në tërësi janë krijuar 12 ndërmarrje të reja në të gjithë vendin. Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka vendosur që deri në shtator të këtij viti, shoqëritë rajonale të ujësjellësave të kishin miratuar çmimet e unifikuara. Dokumentacioni me aplikimet e reja, duhej të paraqitej brenda fundit të qershorit, por me situatën e re, Enti Rregullator i Ujit ka vendosur që t’ju japë më shumë kohë ndërmarrjeve duke u lënë një afat tjetër me tre muaj më shumë.