“Kërcënim për sigurinë kombëtare”, dhjetëra shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës refuzohen në kufirin shqiptar

650
Foto ilustrim nga PKK Bllatë dhe fleta e refuzimit të hyrjes

Dhjetëra shtetas me kombësi shqiptare nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova pretendojnë se gjatë muajve qershor dhe korrik 2026 u është refuzuar hyrja në territorin e Republikës së Shqipërisë në pikat kufitare, pa marrë një shpjegim të detajuar për arsyet e këtij vendimi.

Sipas dëshmive të siguruara nga Bulqizaime.al, personave të refuzuar u është dorëzuar formulari standard “Refuzim i hyrjes në kufi”, i lëshuar nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin i Policisë së Shtetit. Në rastet e dokumentuara, si bazë ligjore është përdorur arsyetimi se personi “konsiderohet kërcënim për rendin publik, shëndetin publik, sigurinë kombëtare ose marrëdhëniet ndërkombëtare”, sipas parashikimeve të Ligjit nr. 108/2013 “Për të Huajt”.

Një nga rastet që është bërë publik është ai i Genc Sadikut, arsimtar dhe drejtues i një shkolle fillore në Dibër të Maqedonisë së Veriut. Në një reagim në rrjetet sociale, ai shprehet se refuzimi i hyrjes në Shqipëri ishte një nga momentet më të rënda personale që ka përjetuar.

“Jam rritur me dashurinë për Shqipërinë dhe nuk do ta kisha menduar kurrë se do të më ndalohej hyrja në shtetin amë. Kufijtë mund të më ndalojnë fizikisht, por askush nuk mund të më largojë dashurinë për Shqipërinë”, shkruan ai mes të tjerash në reagimin e tij publik.

Sipas dokumentit të administruar nga Bulqizaime.al, Sadiku është njoftuar për refuzimin e hyrjes përmes formularit standard të Policisë Kufitare në Bllatë, ndërsa në rubrikën e komenteve nuk jepet asnjë sqarim shtesë mbi arsyet konkrete të këtij klasifikimi.

Për të verifikuar përmasat e fenomenit dhe bazën ligjore të këtyre vendimeve, Bulqizaime.al i është drejtuar me një kërkesë zyrtare edhe Policisë së Shtetit. Kjo për numrin e shtetasve të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës, të cilëve u është refuzuar hyrja në Shqipëri gjatë periudhës 1 qershor – 11 korrik 2026, arsyet mbi të cilat janë marrë këto vendime, nëse ato bazohen në vlerësime të autoriteteve shqiptare apo në informacione të partnerëve ndërkombëtarë, si dhe nëse bëhet fjalë për një procedurë ose operacion të veçantë të ndërmarrë gjatë kësaj periudhe. Deri në publikimin e ketij lajmi, Policia e Shtetit nuk ka kthyer përgjigje.

Refuzimet vijnë në një klimë të tensionuar politike

Këto raste raportohen në një periudhë të tensionuar politikisht, pas protestave të zhvilluara në Tiranë gjatë muajit qershor dhe korrik. Përfaqësues të mazhorancës kanë deklaruar publikisht se në protesta kanë marrë pjesë edhe qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa opozita dhe media pranë saj kanë ngritur pretendime se në pikat kufitare po aplikohen masa selektive ndaj personave që perceptohen si mbështetës të protestave ose të forcave politike në rajon. Konkretisht Vetëvendosje në Kosovë dhe VLEN në Maqedoninë e Veriut.

Bulqizaime.al komunikoi me disa shtetas të Maqedonisë së Veriut që pretendojnë se askush nuk u ka dhënë një shpjegim konkret përse janë përfshirë në listat e ndalimit. Ata shprehen se kjo situatë krijon pasiguri, veçanërisht për qytetarët që vizitojnë rregullisht Shqipërinë.

Përveç rasteve të dokumentuara nga shtetas të Maqedonisë së Veriut, denoncime publike kanë bërë edhe shtetas të Kosovës, të cilët pretendojnë se janë përballur me të njëjtën praktikë në pikat kufitare shqiptare. Sipas tyre, hyrja në Shqipëri u është refuzuar me të njëjtin formular standard dhe me të njëjtin arsyetim ligjor, pa u dhënë shpjegime të detajuara mbi bazën konkrete të këtij vendimi.

Shumë prej tyre zotërojnë prona, kryesisht apartamente ose shtëpi pushimi në bregdetin shqiptar, ku kalojnë një pjesë të pushimeve verore. Ata thonë se refuzimi i hyrjes, pa një arsyetim të detajuar, krijon pasiguri jo vetëm për lëvizjen e lirë, por edhe për investimet dhe lidhjet familjare që kanë me Shqipërinë.

REKLAMË