Kërcënim me eksploziv në një biznes privat në Peshkopi

302
Forcat e Policisë dhe specialistët e neutralizimit të lëndëve eksplozive në zonën ku u raportua kërcënimi ndaj biznesit në Peshkopi.

Një biznes privat në qytetin e Peshkopisë është bërë objekt i një kërcënimi, pasi pronarit të subjektit i është kërkuar një shumë prej 50 milionë lekësh, me paralajmërimin se në të kundërt biznesi do të hidhej në erë.

Sipas të dhënave paraprake, pronarit i është dërguar një kuti picash, brenda së cilës ndodhej kërkesa për pagesën e shumës së parave, së bashku me materiale që fillimisht u dyshua se mund të përbënin një pajisje artizanale të ngjashme me eksploziv.

Pas konstatimit të pakos, zona në dalje të Peshkopisë është rrethuar nga forcat e Policisë, ndërsa perimetri është mbajtur nën kontroll për disa orë, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe bizneseve përreth.

Në vendngjarje kanë mbërritur specialistë të çminimit dhe neutralizimit të lëndëve eksplozive nga Tirana, ndërsa janë marrë masa sigurie edhe për subjektet në zonën përreth.

Sipas informacioneve paraprake, Policia ka shoqëruar dy persona, të cilët dyshohet se kanë lidhje shoqërore me djalin e pronarit të biznesit.

Po ashtu, mësohet se autoritetet kanë sekuestruar dhe po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë së zonës.

Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se në vendngjarje nuk është vendosur një sasi eksplozivi, por një telefon i lidhur me tela, ndërsa po vijojnë verifikimet për mënyrën se si është përdorur ai në kërcënimin ndaj biznesit.

REKLAMË