Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka reaguar pas djegies së automjetit të gazetarit Sami Curri në Bulqizë, duke e cilësuar ngjarjen si një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe duke kërkuar reagim të shpejtë nga autoritetet.
Në një status në rrjetet sociale, Kapri u shpreh se “sulmi ndaj Samiut është goditje ndaj fjalës së lirë”, ndërsa theksoi se institucionet duhet të zbardhin ngjarjen pa asnjë vonesë dhe të vendosin autorët përpara drejtësisë.
Reagimi i deputetit ishte i shoqëruar me deklaratën publike të vetë gazetarit Curri, i cili ka dhënë detaje mbi ngjarjen dhe ka theksuar se djegia e makinës së tij ka qenë një akt i qëllimshëm dhe i paramenduar, i lidhur drejtpërdrejt me punën e tij si gazetar.
Sipas Currit, ngjarja ndodhi rreth orës 02:45 të mëngjesit, vetëm pak metra larg banesës së tij në Bulqizë. Ai theksoi se prej afro një dekade ushtron profesionin e gazetarit dhe ka themeluar median lokale “Bulqizaime.al”, me synimin për të ndërtuar një platformë të pavarur dhe në shërbim të qytetarëve.
Gazetari deklaroi se kohët e fundit ka qenë përballë ndërhyrjeve të vazhdueshme për shkak të temave që trajton, duke nënvizuar se sulmi ndaj tij është një mesazh frikësimi. Megjithatë, ai u shpreh i vendosur për të vijuar punën e tij. “Ata që e kanë bërë këtë akt nuk do të arrijnë të më kërcënojnë apo të më ndalin. Për mua, gazetaria nuk është thjesht profesion, por mision në shërbim të publikut,” deklaroi Curri.
Ai shtoi se raportimet e tij do të vazhdojnë të fokusohen te interesat e komunitetit, çështjet e mjedisit dhe problematikat që prekin qytetarët e Qarkut Dibër, pavarësisht presioneve.
Ngjarja e ndodhur në Bulqizë, e dyshuar si zjarrvënie e qëllimshme ndaj automjetit të gazetarit, ka nxitur reagime të shumta nga politika, organizatat e medias dhe komuniteti i gazetarëve, duke u konsideruar si një rast që kërkon hetim të plotë dhe reagim të menjëhershëm institucional për mbrojtjen e lirisë së medias.









