Kaloshi: Nuk shkojmë për turizëm në Vlorë, synojmë pikët

356

Korabi i trajnerit Gerd Haxhiu po e përgatit me shumë vështirësi ndeshjen me Flamurtarin, pasi janë të shumta mungesat në skuadrën dibrane për këtë transfertë. Në këto kushte, ky takim është një mundësi që duhet shfrytëzuar nga elementët e rinj, të cilët pritet që të jenë në fushë ndaj vlonjatëve. Një nga lojtarët që kërkon afirmimin në ndeshjen ndaj Flamurtarit është edhe Geraldo Kaloshi, i cili është aktivizuar në 8 ndeshje në Superiore me Korabin.

“Të gjitha ndeshjet janë të forta për ne, kështu që e tillë do të jetë edhe përballja e radhës me Flamurtarin. Sigurisht që vlonjatëve u duhet me çdo kusht fitorja në këtë takim, por Korabi nuk do të shkojmë për turizëm në Vlorë. Ekipi ynë do të mundohet që të arrijë një rezultat pozitiv, duke zhvilluar një lojë të mirë. Kjo ndeshje është një shans dhe një mundësi për ne për t’u bërë më tërheqës nga të tjerët.

Jam i kënaqur nga aktivizimi gjatë këtyre ndeshjeve të këtij viti dhe e falënderoj trajnerin Haxhiu, që bëri të mundur hapjen e hapësirave edhe për ne të rinjtë. Sigurisht, detyra jonë është ta nderojmë atë me lojë të bukur, por edhe me ndonjë rezultat pozitiv.

Në pamje të parë, situata te Korabi është e qetë, për vetë objektivat e mbetur, por nuk na mungon angazhimi për të kërkuar më shumë në ndeshjet e mbetura të kampionatit. Kështu, ne po stërvitemi rregullisht për të qenë të fortë, jo vetëm në këtë fundjavë, por duke e respektuar kampionatin deri në fund”, u shpreh mesfushori Geraldo Kaloshi.

ABDULLA DUSHKU