Kalon për gjykim dosja 184 me vetëm katër të pandehur

1077
Godina e Gjykatës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër. Foto: Bulqizaime.al

Kalon për gjykim dosja 184 me vetëm katër të pandehur: Robert Agën, Drini Gjecin, Nuri Meda dhe Hasan Hoti. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka pushuar çështja për kryetarin aktual të Bashkisë Dibër, Dionis Imerajn dhe Korab (Imer) Lala, Afrim Mikli, Arben Keshi dhe Bekim Krashi. Sipas prokurorisë, pavarësisht se është provuar shitblerja e votave në Dibër, asnjë prej të akuzuarve nuk do të mbajë përgjegjësi penale. Kjo për faktin se vepra penale është konsumuar në shtator 2016, ka kaluar koha dhe krimi ështe parashkruar, pasi ka kaluar afati 3-vjeçar i ndjekjes penale.

Avokati Indrit Sefa, përfaqësuesi i Partisë Demokratike tha pas përfundimit të seancës se Gjykata dështoi të jap drejtësi dhe të zbatojë ligjin, duke legjitimuar veprimet e paligjshme të prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër. “Fakti që të gjithë palët në sistemin e drejtësisë duke filluar nga gjykata e prokurori, nxitojnë për ti vënë një kapak kësaj historie është më kriminal se sa vepra penale e kryer nga këta persona.” – u shpreh Sefa.

Ai tha se vendimi do të ankimohej menjëherë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, pasi konsiderohet i padrejtë.

Prokuroria ka kërkuar gjykim për ish-Shefin e Komisariatit të Dibrës Robert Aga, për “shpërdorim detyre”, dhe tre ish-zyrtarë të tjerë lokalë, Drini Gjeçi, ish-drejtor i Drejtorisë Arsimore për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve” Hasan Hoti, ish-Administrator i Lurës, për “shpërdorim detyre” dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë  u dërgua në gjykatë në fund të vitit që shkoi, pasi u mbajt për një kohë të gjatë në sirtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe më pas ndërroi disa herë duar prokurorësh duke e kthyer në një ping-pong mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Dibrës për çështje të kompetencës.

Dosja 184 sëbashku me dosjen tjetër me nr.339, që i përket hetimeve të një organizata kriminale në Durrës të përfshirë po ashtu sipas prokurorisë në blerje votash dhe shatazh zgjedhësish, u bënë shkak për bojkotin e parlamentit dhe më pas edhe të zgjedhjeve lokale nga opozita, duke futur vendin në një nga krizat më të thella politike.

Seanca e radhës për të ashtuquajturën “Dosja 184” nuk është përcaktuar ende se kur do të mbahet.