INTERVISTË/ Rose Wilder Lane, amerikania pas së cilës u dashuruan ministrat e malësorët

487
Intervistë me autoren Eleni Laperi.
Jeta e gazetares së njohur në Shqipërinë e viteve ’30, dashuria e saj për këtë vend dhe shqiptarët.

Intervistoi Bler Gjoka

Rose ishte një grua me trup mesatar, me flokë të prera shkurt dhe me veshje perëndimore, një amerikane e njohur për karakterin dhe penën e saj, që vendosi të jetonte afro dy vite në Shqipëri dhe të kalonte një pjesë të kësaj kohe në udhëtim, kryesisht në Malësinë e Dukagjinit. Ajo shkroi me dashuri dhe vlerësim të lartë për Shqipërinë dhe shqiptarët në një kohë kur bota nuk dinte asgjë për vendin tonë.

Po kush ishte kjo grua që u dashurua me vlerat e traditat e një kombi në cep të Europës, që kishte jetuar 500 vjet nën Perandorinë Osmane dhe si pas saj u dashuruan dhe shqiptarët që e njohën nga afër që nga ministri i asaj kohe, Ahmet Zogu, më vonë Mbret, dhe deri tek malësorët e veriut, që shihnin tek kjo grua forcën e vërtetë të gruas së lirë. Libri i studiueses Eleni Laperi “Rose Wilder Lane dhe shqiptarët”, botim i UET-Press, sjell fakte dhe dëshmi të panjohura.

Bler Gjoka: Zonja Laperi, javën që vjen do të promovohet libri juaj “Rose Wilder Lane dhe shqiptarët”, botim i UET-Press. Si u “njohët” me Rose Wilder Lane?

Eleni Laperi: Gjashtë vite më parë, në një nga libraritë e Tiranës pashë librin “Majat e Shalës”, të autores Rose Wilder Lane. E bleva librin, se u bëra kureshtare të di çfarë kishte shkruar autorja amerikane për Malësinë e Dukagjinit. Kështu nisi njohja ime me jetën dhe veprën e autores dhe dëshira për të ribërë udhëtimin e saj nëpër Shqipëri.

Bler Gjoka: Çfarë ju surprizoi më shumë gjatë kërkimeve tuaja për jetën dhe veprën e amerikanes Lane?

Eleni Laperi: Rose Wilder Lane ishte një prej gazetareve më të paguara të kohës së saj. Disa studiues sot janë të mendimit se ende nuk njihet sa duhet jeta dhe vepra e saj. Ajo u rrit në një familje pionierësh, të cilët e ngritën jetën dhe mirëqenien e tyre vetëm me punë e sakrifica të mëdha. “Ne nuk e donim disiplinën, ndaj vuajtëm derisa disiplinuam veten”, shkruan Rose W. Lane.

“Shihnim shumë gjëra apo shumë mundësi që na pëlqenin aq shumë, po nuk i arrinim dot, sepse nuk kishim me se të paguanim për to. I siguruam vetëm pas përpjekjesh të jashtëzakonshme dhe vetëmohimi, që ta copëtonte zemrën, por borxhi do na rëndonte shumë më tepër se mungesa e gjërave që nuk i kishim. Ishim të ndershëm, jo se ishim kundër natyrës mëkatare njerëzore, po sepse pasojat e pandershmërisë ishin për ne shumë më të dhimbshme”.

Më mahnitën idetë e saj në librin ‘The discovery of freedom, Man’s struggle against Authority’, ku ajo argumenton faktin se njeriu është burim energjie dhe nga vetë natyra e tij është i lirë, pra edhe përgjegjës për mënyrën si e përdor lirinë dhe energjinë e tij. Me këtë vepër të botuar në 1943, ajo u bë bashkëthemeluese e neoliberalizmit amerikan, së toku me Ayn Rand dhe Isabelle Paterson.

Po fillimisht më tërhoqën përshkrimet e thjeshta e të mrekullueshme të udhëtimit të saj nëpër malësinë e Dukagjinit, në të cilat dallohet një vëzhguese e mprehtë dhe dashuri e respekt i thellë për njerëzit e thjeshtë. Ai udhëtim e shtyu më pas të vinte të jetonte në Shqipëri. Shënimet e përshkrimet e atyre udhëtimeve më nxitën të ndjek gjurmët e saj nëpër Shqipëri, duke zbuluar anë të panjohura të vendit e popullit tonë.

Përshkrimet e saj janë aq të vërteta e tërheqëse falë mprehtësisë së vështrimit të saj, falë dijeve e eksperiencave si udhëtare e gazetare, të cilat e ndihmonin të shihte te një popull i huaj vlera e veçori, që nuk i shihnin të tjerë, ndoshta edhe vetë vendasit. Falë njohurive e zotërimit mjeshtëror të gjuhës së saj, ajo arrin të shprehë edhe konceptet e saj filozofike thjesht e kuptueshëm për të gjithë.

Bler Gjoka: Lane njihet si një dashamirëse e shqiptarëve, pse sipas jush kjo grua u dashurua me Shqipërinë?

Eleni Laperi: Sa më shumë njihej me banorët e Shqipërisë, aq më shumë ajo bindej se shqiptarët janë një popull i vjetër, me dinjitet, mirënjohës e mikpritës, i cili meriton të vlerësohet për atë që ai sjell në historinë dhe kulturën botërore. Te shqiptarët ajo pa një popull që e njihte dhe e donte Amerikën, vendin e demokracisë e të mirëqenies.

“Po t’i pyesësh shqiptarët nëse duan të shkojnë në Parajsë apo në Amerikë, ata pa ngurrim do të të përgjigjen, në Amerikë, sepse ata nuk janë të bindur se çfarë është Parajsa, po e dinë shumë mirë çfarë është Amerika”, i tha Kostandin Çekrezi, kur ajo e pyeti se çfarë mendojnë shqiptarët për Amerikën. Fëmijët shqiptarë, qoftë biri i një familjeje të pasur si mjeku i ardhshëm Shefqet Ndroqi, qoftë fëmijët e varfër,si djaloshi refugjat prej Vuthajt – Rexh Meta, apo Sadik Hasani nga Klosi e çiraku-këpucar Gjelosh, e mrekulluan me dëshirën e madhe për të ditur gjuhë të huaja, për të parë botën e madhe e për të mësuar të ndërtojnë makina.

Për vite me radhë ajo shkroi plot simpati tregime e artikuj, për të bërë të njohur Shqipërinë dhe shqiptarët për lexuesin amerikan. Shkroi me revoltë për padrejtësitë që po i bëheshin këtij populli të lashtë nga politikat e shteteve fqinjë dhe e fuqive të mëdha.

Shumë herë e patën pyetur pse ajo vendosi të vinte në Shqipëri, çfarë e tërhiqte te ai vend i vogël e i varfër. Në një letër drejtuar një mikut të saj, R. W. Lane shkruan se Shqipëria, ky vend i varfër i Ballkanit ka me shumë lumturi se i gjithë shekulli i 20-të, pasi atje ruhet kuptimi i së bukurës dhe misteri i jetës, të cilin e kanë humbur vendet e zhvilluara.

Për shqiptarët fjalëpakë e me trupa si pantera, për gratë shqiptare gjithnjë në hije, dinjitoze e misterioze si askund, për ceremonitë e mikpritjes të shoqëruara me kafenë e ëmbël e ujin e zjarrtë-rakinë, që ishin pjesë e pandarë e udhëtimeve nëpër Shqipëri, ajo shkruan: të bëjnë të jesh tjetër njeri.

Bler Gjoka: Si u trajtua ajo nga Shqipëria zyrtare e kohës, a kishte ajo kontakte apo miq në rrethet e larta qeveritare dhe çfarë vlerësimi apo interesi kishte ndaj punës së saj?

Eleni Laperi: Një anë tërheqëse në materialet e arkivit të R.W. Lane është marrëdhënia e saj me zyrtarët shqiptarë, pra me burrat shqiptarë. Ndërsa ajo vinte nga një vend, ku lëvizja për të drejtat e grave kishte filluar që në mesin e 1800-ës, mentaliteti i burrave vendas ishte i shënjuar nga edukata e perandorisë osmane, që u kishte mësuar shumë gjëra për gratë, po asgjë për traditën e kulturën e tyre. Ata stepeshin para asaj gruaje trupvogël mendjemprehtë, që i shihte drejt në sy, që ua shtrëngonte dorën fort si një burrë e thoshte ato që mendonte.

Edukimi i saj anglo-sakson, që e shtynte të ishte e drejtpërdrejtë,u përball me edukatën e një shoqërie orientale,ku pas mendimit të shprehur me zë, fshihej një prapamendim i heshtur. Me qëndrimin e vendosur, dijet e karakterin e saj Rose Wilder Lane magjepsi jo vetëm malësorin Lulash Gjok Çuni në Theth, po edhe Ahmet Zogun, një ministër që ëndërronte të bëhej mbret, edhe diplomatë e intelektualë të sapo kthyer në Shqipëri nga Stambolli, Vjena, Parisi, ShBA.

Mid’hat Frashëri, Xhemil Dino, Mehmet Konica, Kostandin Çekrezi, Kostandin Mima, Rrok Perrolli, Sotir Martini, Spiro Koleka etj., trazoheshin nga prania e saj, flisnin si të barabartë me të për politikën dhe Shqipërinë, mburreshin para saj, habiteshin me qëndrimin e saj dhe ëndërronin ta kishin bashkëshorte apo të shihnin si ajo edhe gratë e tyre, ndoshta sepse ashtu do ndjeheshin më të qytetëruar. Ata flirtonin me të, vallëzonin në sallonin e saj pas orarit të zyrës, e shoqëronin nëpër shëtitjet në Tiranë, apo në udhëtimet nëpër malësinë e Dukagjinit, Matit, Shkodrës. Portretet e tyre, me veset e virtytet, i gjen në shkrimet, në tregimet e letrat e saj. Harrilla Bakalli dhe Mid’hat Frashëri shkruan artikuj për librin e saj ‘Majat e Shalës’.

Bler Gjoka: Në një nga shkrimet e saj, Lane thotë se dashuria iu shfaq në Dukagjin, a keni gjetur dëshmi, të dhëna për një histori dashurie të saj me një shqiptar?

Eleni Laperi: Një grua e arsimuar, që udhëton e vetme dhe e zbuluar, në një vend ku gratë ishin në përgjithësi analfabete dhe rrinin të mbyllura në shtëpi, patjetër që do ishte tërheqëse për burrat vendas. Në librin ‘Majat e Shalës’, ku përshkruan udhëtimin e saj të parë në Shqipërinë e vitit 1921, Lane tregon se sipas Rrok Perrollit, Lulash Gjok Çuni do ishte gati të paguante 20.000 kruna për t’u martuar me të, pasi idetë e saj do sillnin përparim në fisin e tij.

Ajo i shkruan nënës së saj për një propozim, që iu bë nga ana e Ahmet Zogut në vitin 1922, kur vajti ta takonte ministrin e brendshëm, se i nevojitej leja e tij për udhëtimin në Mat e Dukagjin. Po një histori dashurie dhe propozim për martesë më 1922 ajo e pati nga diplomati Xhemil Dino. Këtë histori Lane e ka temë të një romani të pabotuar, me titull ‘Romancë’.

Bler Gjoka: Si studiuese, çfarë mendoni se i tërhiqte njerëz intelektualë si Lane që të vizitonin e të njihnin Shqipërinë?

Eleni Laperi: Kishte vetëm pak vite që Shqipëria kishte dalë si shtet më vete, pas rënies së perandorisë Osmane. Edhe pse, si shkruan Lane, ajo po thërrmohet ngadalë nga trysnia që i vjen nga të gjitha anët, vendi ishte tërheqës për udhëtarët e huaj. Shumë më tërheqës vendi ishte për studiuesit dhe intelektualët, sepse gjenin në Shqipëri kohën e ndalur shumë shekuj më parë, gjenin format e vjetra të mikpritjes,martesës, pronës, veshjes, apo ato veti të njeriut, që ishin tjetërsuar apo kishin humbur në vendet e industrializuara. Gratë udhëtare shkruanin se ishin pritur si princesha në Shqipëri.

Në shoqërinë amerikane nxitimi e kishte fshirë atë pjesë të kohës, që shqiptari ia kushtonte mikut me zemërgjerësi. Qetësia e oborreve tiranase dhe ritmi i ngadaltë i jetës në kryeqytetin e saposhpallur, i lanë gazetares amerikane një ndjenjë malli të thellë për Shqipërinë edhe shumë kohë pasi ishte larguar prej saj. Sot ne jemi dëshmitarë, se këto veti po humbasin edhe te ne, duke tjetërsuar marrëdhënien tonë me natyrën dhe me njëri-tjetrin, me jetën dhe vdekjen.

Bler Gjoka: Çfarë sillni ju të re, ose të panjohurat nga jeta dhe vepra e amerikanes Rose Wilder Lane në librin tuaj?

Eleni Laperi: Materialet dhe shumë fotografi të këtij libri botohen për herë të parë në shqip. Me mbështetjen e ambasadës së ShBA-ve, e cila mbështeti edhe shtypin e librit, unë pata fatin të vizitoj shtëpinë e Rose Wilder Lane në Mensfilld të Misurit dhe të bëj kërkime në arkivin e saj në Bibliotekën Presidenciale Herbert Huver në Iowa, pra të shoh me sytë e mi vlerat e traditës amerikane lidhur me punën dhe mirëqenien.

Për Lane janë botuar mjaft libra, vepra biografike, studimore apo letrare, po deri më sot asnjëherë nuk është paraqitur në mënyrë të plotë marrëdhënia e saj me shqiptarët dhe Shqipërinë, që sipas biografit të saj Willliam Holtz, shënoi jetën e saj përgjithmonë. Shpesh është shkruar për të edhe nga autorë shqiptarë, po në shkrimet e tyre gjen mjaft pasaktësi, apo interpretime të fjalëve të kaluara gojë më gojë, të pambështetura në dokumente.

Unë jam munduar të përmbledh në këtë libër artikujt, tregimet, shënime udhëtimi e korrespondenca, kujtime të shqiptarëve apo të të huajve, që e japin më të plotë e të saktë periudhën shqiptare të jetës së saj.

Në shkrimet e saj gjen Shqipërinë e parë me sytë e një gazetareje të huaj. Të gjitha këto vështrime të panjohura për lexuesin e shqipes botohen bashkë me mësimin e madh të Mid’had Frashërit: mirënjohje për miqtë tanë. Në thellësi të malësisë së Dukagjinit asaj i numërojnë paraardhësit e Aleksandrit të Madh, nëna e të cilit ishte nga Emadhia-Mati.

Rreth zjarrit fushor në Gurin e Bardhë ajo dëgjoi legjendën e shpellës së Bulqizës, udhëtimin përtej kufirit të kohës të një gurabardhasi dhe misteret e dervishëve, që dëgjojnë zëra të padëgjuar nga të tjerët. Tiranën ajo e sjell si një qytet ku bukuria e qetësisë së tiranasve bashkëjeton me historitë e intrigat e një kryeqyteti në rritje. Janë befasuese përshkrimet e hollësishme të pazarit të Tiranës e të Klosit, zakonet e familjes shqiptare ngado, mendimet për politikën ballkanike, besimet fetare, punën dhe dëfrimin, veshjen, seksin, ushqimin, vetveten, madje edhe për lulet e kopshtet. Në ditarët e saj kanë vend qytetarë e peizazhe nga e gjithë Shqipëria: që nga Shkodra deri në Butrint, që nga Durrësi deri në Korçë.

Në një prej tregimeve, autorja sjell arsyen e trishtimit të padre Luigjit të Kirit, kur pa se ishin tharë nga acari lulet e pjeshkës,e vetmja shenjë gëzimi në oborrin e kishës: malësorët kanë më shumë nevojë për gëzimin se sa për misrin. Mund të duken paradoks këto fjalë të shkruara 90 vite më parë, po është vërtet e madhe vlera e gëzimit në jetën e njeriut. Jo më kot për himnin e Evropës së Bashkuar nuk zgjodhën Ode për krenarinë, trimërinë apo fitoret në beteja, po zgjodhën ‘Ode për Gëzimin’ nga Simfonia e 9-të e Bethovenit.

BURIMI: www.valbonanathanaili.com