I nxehti, nisin të bien zjarret e para në pyje e kullota

433

Zjarri i parë përfshiu një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullishte në fshatin Dragot, Belsh. Shërbimi vendor i zjarrfikësve  ndërhyri duke shuar plotësisht flakët. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 ha me shkurre, ferra dhe 200 rrënjë ullinj.

Ndërkohë në fshatin Anëbreg, Njësia Administrative Kutë, Mallakastër ra zjarr në një sipërfaqe me grurë dhe ullishte. Për shkak të terrenit të thyer ndërhyrja e automjeteve të zjarrfikësve ka qenë e pamundur dhe zjarri është shuar me mjete rrethanore pas disa orësh punë, në bashkëpunim me komunitetin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me grurë, si dhe rreth 100 rrënjë ullinj shekullorë.

Duke qenë se ndodhemi në një periudhë me mot shumë të nxehtë dhe rreziku i zjarreve është i lartë, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile edhe një herë i bën thirrje komunitetit për kujdes maksimal.

Emergjencat Civile u kërkojnë të gjithë institucioneve qendrore dhe vendore të çdo niveli dhe drejtoritë rajonale të bashkëpunojnë ndërmjet tyre. Prefektët e qarqeve duhet të ngrenë menjëherë shtabet e emergjencave dhe të njoftojnë për mbështetje Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, pa lejuar që zjarret të marrin përmasave të papërballueshme.

Njëkohësisht Prefektët e qarqeve në zonat kufitare të mbajnë kontakte me homologët e tyre të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë për rastet kur zjarret ndodhen në zonat kufitare.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile edhe një herë u kërkon të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin 06941 10 198.