Helmohen 12 nxënës nga sapuni “15 lekësh” në Bulqizë

452
Spitali i Bulqizës. Foto: bulqizaime.al

Nxënësit e klasës së 6-të në shkollën “Shefqet Tançi” në Bulqizë u helmuan gjatë orës së “Artit Pamor” mëngjesin e të mërkurës. BIRN mësoi se të paktën 12 nxënës shfaqën probleme shëndetësore dhe u shoqëruan në spital nga mësuesit.

Dyshohet se helmimi erdhi pasi fëmijët hapën paketimin e një  sapuni të lirë të cilin do e përdornin për të bërë forma gjeometrike.

Gazmir Sejdi, drejtor i shkollës 9-vjeçare në Bulqizë i tha BIRN se fëmijët kishin “marrë nga ata sapunat e vjetër, 15 lekësh që kanë qenë dikur” dhe se kanë shfaqur shqetësime sapo kanë hapur paketimin.

“Kishin probleme me frymëmarrjen. Menjëherë i kemi nisur në Spitalin e Bulqizës dhe aktualisht fëmijët janë në gjendje të mirë, pa ndonjë problem të rëndë”, u shpreh Sejdi për BIRN.

Drejtori i Spitalit të Bulqizës, Dr. Hazis Jella konfirmoi se fëmijët kishin shkuar në spital “me komplikacione të tilla si probleme me frymëmarrjen dhe të vjella”. Jella tha po ashtu që dyshohej se problemet të kishin ardhur prej sapunit. “Pediatri ju ka dhënë ndihmën e parë, dhe fëmijët tani janë mirë, pa probleme. Ne këtu kemi pritur 12 fëmijë me këto shenja”, u shpreh Jella për BIRN.

Ndërkohë policia lokale tha se kishte filluar hetimet. Policia bëri me dije se priteshin analizat, për  të parë nëse problemi ishte sapuni që ishte përdorur.

BIRN mësoi se sapuni që dyshohet se ka shkaktuar helmimet nuk kishte emër mbi paketim dhe nuk është e qartë ende prejardhja e tij. Drejtori i shkollës dhe të tjerë persona me të cilët BIRN foli e identifikuan atë si sapun “15 lekësh” i ngjashëm me atë që prodhohej gjatë kohës së diktaturës.