HEC i Skavicës, firmoset kontrata me Bechtel për fazën e parë

883
Nënshkrimi i kontratës për fazën e parë të HEC Skavicës, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe kompanisë amerikane Bechtel. Foto: KESH

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe kompania “Bechtel” njoftuan këtë të hënë nisjen e fazës së parë të punës për vënien në jetë të projektit të hidrocentralit të Skavicës. Gjatë një ceremonie të mbajtur në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, u bë edhe nënshkrimi i marrëveshjes së parë për këtë projekt mes dy palëve.

Ministrja Belinda Balluku në fjalën e saj sqaroi se një tjetër kontratë do të nënshkruhet pas përfundimit të fazës së parë dhe që do të lidhet direkt me ndërtimin e HEC-it.

“Sot jemi këtu për nënshkrimin e kontratës për fazën e parë të ndërtimit të HEC Sakvisës. Kjo përfshin punën përgatitore studimore, amnbientale, gjeologjike, sociale dhe deri në përfundimin e kësaj faze për të kaluar në të dytën. Në këtë fazë kemi 18 muaj që do t’i shërbejnë ekipeve që të shkëmbejnë materialet dhe më pas, me gjithë shpresën e mirë që brenda këtyre 18 muajve të dorëzojmë një produkt të mirë. Kjo më pas do të na hapë rrugën për të firmosur kontratën e ndërtimit të HEC Skavicës.” u shpreh Balluku.

Ky HEC eshtë ndryshe nga të tjerët që ndodhen në kaskadën e Drinit pasi do të luajë rolin e rregullatorit. Sipas Ballukut, HEC “Skavica” do të rrisë me 20 për qind prodhimin e energjisë në vend, por do të optimizojë dhe rrisë kapacitet prodhuese. “Një moment i rëndësishëm është minimizimi i përmbytjeve në fushën e Nënshkodrës” tha Balluku.

Ajo nënvizoi se me Bechtel është folur edhe për ndikimin social që do të ketë projekti në zonë për të gjetur një zgjidhje sa më optimale.

Projekti i HEC Skavicës

Justin Siberell, President Rajonal për Europën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme, vlerësoi bashkëpunimin me Qeverinë Shqiptare për këtë projekt kaq të rëndësishëm, duke vlerësuar edhe impaktin e madh që ai pritet të ketë në energjetikë por dhe në ekonominë shqiptare në përgjithësi.

“Ne presim me dëshirë që të punojmë në partneritet me KESH-in, kompaninë elektro-energjitike shqiptare, për të angazhuar komunitetet vendase dhe zinxhirët e furnizimit në mënyrë që të maksimizojmë përfitimin ekonomik nga ky projekt i rëndësishëm infrastrukturor. Bechtel-i punon në të gjithë botën për të përfunduar projekte të jashtëzakonshme, që prodhojnë ndikim pozitiv dhe të qëndrueshëm. Ne jemi të përkushtuar ndaj standardeve më të larta të cilësisë dhe sigurisë në punën tonë dhe për të punuar në mënyrë bashkëpunuese me komunitetet vendase, për të krijuar vende pune dhe për të rritur aftësitë e punës”, tha Siberell.

HEC-i i Skavicës është një nga projektet e lakuara shpesh nga qeveritë në vend por ai nuk ka arritur të konkretizohet deri më sot. Ky hidrocentral do të jetë i vendosur në rrjedhën e sipërme të HEC-eve ekzistuese të kaskadës së lumit Drin dhe do të ketë ndikim në operimin e të gjithë kaskadës.

Kostot e vlerësuara deri në fazën e parafizibilitetit për këtë projekt janë respektivisht 308 milionë euro për alternativën me digë të ulët (deri në kuotën 388 m.m.n.d), dhe gati 510 milionë euro për alternativën me digë të lartë (deri në kuotën 443 m.m.n.d).