HEC-i në Mat, Gjykata Administrative rrëzon mes protestave kërkesën për pezullim të punimeve

492
Banderolë e vendosur nga banorët tek Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, për të kundërshtuar HEC-in në Zall Gjoçaj, Mat. Foto: Dhimitër Koleci

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë, rrëzoi padinë e banorëve të fshatrave Zall Gjoçaj, Gjoçaj dhe Melth në Mat dhe disa organizatave të shoqërisë civile, që kërkonin pezullimin e punimet për ndërtimin e hidrocentralit të Sekës në lumin Zall Gjoçaj, deri në marrjen e një vendimi mbi themelin e çështjes.

Gjyqi për marrjen e një mase sigurimi padie, u zhvillua në dy ditë, pasi gjatë seancës së ditës së martë banorët reaguan duke protestuar në sallë, pas  qëndrimit të përfaqësuesëve të Ministrisë së Industrisë pro punimeve. Jashtë gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë ishin mbledhur me dhjetra banorë të fshatrave që po protestonin.

Gjyqtari Emiljano Ruli vendosi më pas të ndërpresë seancën dhe e shtyu atë për të mërkurën. Në seancën e të mërkurës banorët nuk u lejuan që të futeshin në sallë, por vetëm avokatët dhe paditësit.

Avokati i kompanisë dhe Ministria e Energjitikës dhe Industrisë që po ashtu përfaqësohej në gjyq, mbajtën qëndrim se HEC-i ishte brenda rregullave dhe nuk cënonte zonat e mbrojtura apo burimet e ujit nga ku furnizoheshin banorët.  Ndërsa banorët dhe përfaqësuesit e tyre kundërshtojnë HEC dhe akuzojnë kompaninë se cënon zonën e mbrojtura dhe jetën e tyre duke u marrë ujin.

Dhimitër Koleci, banorë i fshatit Melth i tha BIRN se Gjykata nuk e mori parasysh kërkesën e tyre, duke i dhënë të drejtë firmës që të vazhdojë punimet. “Me këtë vendim i jepet të drejtë firmës të vazhdojë punimet edhe brenda kufijve të parkut kombëtar. Me një vendim të tillë dhe pasi firma të shkojë në terren për të vazhduar punimet do të ketë përplasje, kjo është e sigurt”, tha Koleci.

Banorët e Zall Gjoçaj  prej gati dy javësh protestojnë të ngujuar në një çadër (Video këtu) në mes te malit ndërsa kanë bllokuar rrugën për të ndaluar punimet. Koleci tha se ata ishin të vendosur për të mos lejuar vijimin e punimeve.

Disa ditë më parë protestuesit u përplasën me policinë dhe një pjesë e tyre janë marrë në pyetje në Prokuori, të akuzuar se bllokojnë punimet e firmës koncesionare.

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi në tetor të vitit të kaluar lejen e ndërtimit për objektin: “ndërtimi i Hec-it Sekë dhe Zais, në pellgun ujëmbledhës të lumit të Urakës dhe zallit të Melthit”, në bashkinë Mat dhe bashkinë Mirditë. Për ndërtimin e këtij HEC-it edhe bashkia e Matit ka shprehur dakordësinë, duke arkëtuar edhe taksën e ndikimit në mjedis.

Prej vitit 2002 dhe deri më 2018-n, qeveria shqiptare firmosi 183 kontrata koncensionare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve, një pjesë e të cilëvë janë ndërtuar pavarësisht protestave të banorëve dhe shqetësimeve të specialistëve të mjedisit.