HEC-i fiton pas 54 seancash betejën në gjykatë kundër “troftës”

2449
Lumi Seta 4, tubacioni i HECIT SETA 4. Foto MSG promotion

Gjykata e Dibrës i dha fund në qershor një maratone seancash gjyqësore me palë kompaninë e kultivimit të peshkut Bio-Trofta në Dibër dhe atë të hidrocentralit  “Balkan Green Energy”(BGE), të cilat shfrytëzojnë rrjedhën e lumit Seta për bizneset e tyre.

Pas 54 seancash, afërsisht 37 orësh gjyqi të zhvilluara, Gjykata e Dibrës vendosi në qershor 2021 të rrëzoj padinë e kompanisë Bio Trofta, duke mos gjetur lidhje mes dëmit të shkaktuar ndaj saj dhe kompanisë që menaxhon hidrocentralin rreth 6 mijë metra më sipër në rrjedhën e Setës.

“Në kushtet kur nuk vërtetohet lidhja shkakësore ndërmjet sjelljes së paligjshme e me faj dhe dëmit të shkaktuar, Gjykata çmon se nuk ka vend për të trajtuar kushtet e tjera për lindjen e përgjegjesisë jashtëkontraktore për shpërblimin e dëmit”, thuhet në vendim.

Çështja mes dy kompanive filloi në dhjetor të vitit 2016, por për shkak të mungesës së ekspertëve dhe specifikave të vetë çështjes ajo u zgjat në një maratonë seancash siç gjeti BIRN në dhjetor 2018.

Kompania Bio Trofta pretendonte një dëm 300 mijë euro nga kompania BGE, duke pretenduar se punimet pa leje të kësaj të fundit kishin dëmtuar skarpatet e lumit dhe mundësuar erozionin që kishte sjellë shkatërrimin e peshkut.

Ekspertët gjeologë inxhinerë Rremzi Pupli dhe Ilmi Gjeta në aktet e ekspertizës dolën në përfundimin se kompania e HEC ishte përgjegjëse për dëmin, pasi kishte bërë punime pa studime dhe nuk kishte rehabilituar pjesën e lumit siç i kërkohej. “Nëse do të kishte studim gjeologjiko inxhinierik, përmbytja dhe dëmtimi i evidentuar i biznesit të shoqërisë BIO TROFTA do të ishte parandaluar”, citohet nga gjykata Gjeta.

Por gjykata thotë se ekspertizat nuk bënë dot lidhje mes dëmit të shkaktuar dhe punimeve të kompanisë “BGE”. Gjykata konsideroi provë vendimtare foto të sjella nga kompania që tregonin se në nëntor 2016, kur ndodhi edhe incidenti që solli mbytjen e peshqve nga balta, rezervuari i dekantimit i HEC ishte i mbushur po ashtu me gurë e baltë.

“Gjatë gjykimit rezultoi se, nga fotot datë 13.02.2017 (pas ngjarjes), dekantuesi i palës së paditur është i mbushur me gurë dhe baltë, çka dëshmon se prurjet kanë qenë aq të mëdha sa që kanë mbushur me baltë e gurë vetë veprën e palës së paditur, si dhe që nuk kanë iniciuar nga aty, por kanë ardhur nga më lart”, arsyetohet në vendim.

Avokati i kompanisë “Bio Trofta” Xhemal Gazidede tha se vendimi ishte ankuar në Gjykatën e Apelit.

Lumi Seta në zonën e Dibrës, pjesërisht i mbrojtur si park natyror, është bërë pjesë e përplasjeve të ndryshme gjyqësore për shkak të një sërë lejesh për ndërtimin e HEC-eve në zonë. Në vitin 2016, kryepleqtë e tetë fshatrave u ankuan në Ministrinë e Mjedisit për pasojat e hidrocentraleve, të përshkruara prej tyre si “masakër mjedisore”.