Harta territoriale nuk ndryshon, socialistët nuk pranojnë kërkesat e opozitës për më shumë bashki

488
Kuvendi i Shqipërisë

Partia Socialiste nuk pranoi propozimet e opozitës për ndryshimin e hartës territorial, para zgjedhjeve lokale të pranverës 2023. Pak orë para seancës plenare në Kuvend, Taulant Balla, lajmëroi vendimin e grupit socialist që njësitë vendore nuk do preken, por duke lënë hapur mundësinë që reforma territoriale mund të rishikohet pas zgjedhjeve lokale të 14 majit.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për reformën administrativo-territoriale u ngrit me kërkesë të opozitës, me pretendimin se reforma e re e miratuar në vitin 2014 në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, ka pasur problematika dhe ka lënë jashtë shërbimeve shumë zona rurale.

Pas disa muajsh punë dhe dëgjesash me ekspertë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, palët dolën me raporte të ndryshme, por lanë hapur mundësinë për negociata politike.

Raporti i PS-së fokusohej kryesisht tek përmirësimet e aspektit rregullator të punës së këshillave dhe decentralizimin, pa bërë propozime konkrete për ndryshimin e hartës.

PD propozoi shtimin e 33 bashkive të reja të shpërndara në të gjitha qarqet e vendit, kryesisht bashki të vogla rurale ose të përziera rurale-urbane.

“Ne besojmë që raporti i cili është hartuar nga anëtarët tanë të komisionit por edhe në raportin tuaj ka çështje që duhen lexuar me vëmendje nga të gjithë ne. Në zgjedhjet e 14 majit në Shqipëri do të garohet në 61 njësi të qeverisjes vendore. Në zgjedhjet e majit të vitit 2025 do të garohet në 12 qarqe dhe ne do të fitojmë prapë”, tha Balla.

Reforma territoriale ishte si pasojë e marrëveshjes politike të Edi Ramës me Lulzim Bashën për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut, por pakti në fund dështoi pasi dëshira e demokrateve për shtimin e hartës me 33 bashki të reja në fund nuk u plotësua.

Bashkëkryetarja e demokrate në Komisionin e Posaçëm, Dhurata Çupi e konsideroi reformën e 2014-ës të dështuar, ndaj dhe duhet të rritet numri i bashkive në 94, që ishte propozimi i tyre.

“Nëse bashkitë duhet t’i fitojë PS në tavolinë sepse ka kartonat është dëshpëruese, asnjë interes s’duhet të prevaloje mbi interesin më të mirë të mirës publike. Raporti i depozituar në formën e projektligjit, qartëson mirë pse reforma duhet”, tha Çupi. Sipas saj, njësitë e reja e kërkuara do të shërbenin për lehtësimin e varfërisë së shtuar në zonat rurale, për zhvillimin e tyre dhe lehtësimin e shpopullimit.