Gratë shqiptare që mbledhin krom përballen me shfrytëzim

Në qytetin e Bulqizës, gratë rraskapiten duke mbledhur krom, për t’u paguar vetëm disa euro në ditë.

1460
Zona mineralmbajtëse D në Bulqizë. Foto: Sami Curri

Vjollca Gjelleshi mbylli një kapitull të vështirë gjashtë vjet më parë kur vendosi ta ndërronte çekiçin e saj për një biznes të vogël në të cilin ajo shet këpucë të përdorura.

Gjelleshi kishte kaluar 14 vjet duke punuar në minierat e qytetit të saj të lindjes, Bulqizë, në verilindje të Shqipërisë, gjysmën e kësaj kohe duke ndarë kromin nga guri dhe duke e ngarkuar atë në kova.

“Është punë për burra”, tha Gjelleshi, por në Bulqizë kjo është një punë që zakonisht u bie për pjesë grave, shpesh pa ndonjë kontratë zyrtare pune. “Gratë këtu janë për të ardhur keq”, tha ajo.

Për shumë gra të Bulqizës, mbledhja e kromit është e vetmja punë e disponueshme. Qyteti ka një histori të gjatë përsa i takon minierave, por ka fituar më shumë vëmendje vitet e fundit për kushtet e vështira me të cilat përballen minatorët dhe kërkesat e tyre për ndryshim.

Muajin e kaluar, në internet qarkulloi një video ku duken gra shqiptare që punojnë në minierat e kromit në kushte të vështira, duke rritur shqetësimet në lidhje me shfrytëzimin në punë.

Ato shesin kromin deri në tre lekë për kilogram, afërsisht 0,02 euro. Ndonjëherë vetë kompanitë minerare ofrojnë një punë të tillë, duke paguar midis tetë dhe 12 euro në ditë, por rrallë këtyre grave u ofrohet një kontratë zyrtare që mbulon sigurimet shoqërore.

Gjelleshi filloi të punonte në minierë, para se të lëvizte jashtë për të mbledhur krom.

“Kur miniera u mbyll, u detyrova të punoja në stoqe guri jashtë saj”, tha ajo. “Vajza ime u rrit kështu që i duheshin para për shkollën. Ishte shumë e vështirë të punoje në gurore.”

“I mbaj mend ato vite. O Zot i madh! Edhe sot më dhemb shpina.”

Asnjë mundësi tjetër

Vjollca Gjelleshi në Bulqizë. Foto: BIRN

Miniera e kromit në Bulqizë nisi punën në vitin 1948 nën regjimin e atëhershëm komunist të Shqipërisë. Shteti filloi një proces privatizimi pas vitit 2000 dhe një sërë kompanish tani kanë në pronësi pjesë të ndryshme të kompleksit, më e madhja midis tyre Albchrome, pjesë e Balfin Group, një nga kompanitë më të mëdha në vend.

Miniera është burimi kryesor i të ardhurave për familje të shumta në zonën e varfëruar.

Fatmire Ndreu, një nënë 40-vjeçare me tre fëmijëve, u pushua së fundmi nga një kompani lokale minierash e quajtur Valteri Grand shpk pas një mosmarrëveshje mbi pagën. Ajo punoi për katër vjet në minierë.

“Në fillim punonim pa figuracione”, tha ajo. “Pastaj, pasi një minator vdiq, ata na siguruan për disa muaj dhe pastaj i hoqën përsëri figuracionet. Pas kësa nuk na paguan më figuracione, na ulën pagën nga 1,500 lekë në 1,000 lekë në ditë – tetë orë punë.”

Kompania nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Puna ishte e vështirë, tha Ndreu, por ajo nuk kishte asnjë mundësi tjetër.

“Puna ka shumë lodhje. Nuk është e vështirë, por jashtëzakonisht e vështirë”, tha Ndreu për BIRN. “Kjo është punë për burrat, por halli na detyroi të shkonim të punonim atje, për të nxjerrë bukën e fëmijëve.”

Në vitin 2019, OJQ-ja me qendër në Tiranë Aleanca Gjinore për Zhvillim, QAGJZH, zbuloi se diskriminimi me bazë gjinore në punë është i përhapur, por i nën-raportuar në Shqipëri.

“Të dhënat sugjerojnë se shumica e personave që kanë qenë subjekt i diskriminimit me bazë gjinore nuk e kanë raportuar atë në institucionet përgjegjëse”, tha QAGJZH në një raport.

“Pavarësisht nga mungesa e të dhënave zyrtare, të dhënat e sondazhit dhe intervistat sugjerojnë se diskriminimi me bazë gjinore në Shqipëri ndikon ndjeshëm në punësimin e grave”.

“Gratë më shumë se burrat duket se përballen me shkelje të të drejtave të punës për sa i përket kontratave, kompensimit për punën e tyre jashtë orarit, të drejtave të punës dhe të drejtën për leje me pagesë”, tha raporti.

Ligji shpërfillet

Ines Leskaj, kreu i Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri me qendër në Tiranë, një organizatë e cila përqendrohet në të drejtat e grave, tha se gratë e Bulqizës përballen jo vetëm me diskriminim, por edhe me shfrytëzim.

“Së pari, mungesa e kontratave”, tha ajo për BIRN. “Së dyti, kushtet e punës, sepse nuk ka kushte fare, madje ka mungesë sigurie në punë. Dhe së treti, pagesa jashtëzakonisht e ulët, e cila është përsëri shfrytëzim.”

Arta Mandro, një profesoreshë e së drejtës familjare në Universitetin e Tiranës dhe një eksperte për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, tha se problemi nuk ishte ligji, por dështimi i autoriteteve për t’u siguruar që ligji po respektohet.

“Ka institucione dhe duhet parë se si adresohet ky problem nga ana e tyre”, tha Mandro për BIRN. “Këto janë aktivitete që tejkalojnë trajtimin njerëzor në disa mënyra dhe shkelin ligjin, nëse kryhen pa kontrata ose sigurime. Kush e shfrytëzon këtë punë, duhet të hetohet dhe të ndërmerren veprime.”

Eneida Mjeshtri, një përfaqësuese e Qendrës për të Drejtat në Punë, një organizatë me qendër në Tiranë, tha se gratë në Bulqizë nuk fitojnë as pagën minimale të ligjshme.

“Është e nevojshme të vëzhgohet mënyra e kryerjes së pagesës sepse ka shumë të ngjarë që këta punonjës paguhen me para në dorë dhe jo përmes një banke, e cila heq provën e vetme të ekzistencës së marrëdhënies së punës midis tyre dhe punëdhënësit, në kushtet kur midis palëve nuk është lidhur asnjë kontratë”, tha Mjeshtri.

Sa i përket kushteve të punës, Mjeshtri tha se puna kryhej pa mjete dhe veshje të përshtatshme, apo vlerësim të rrezikut.

Ndreu tha se asaj iu kërkua të kryente punë të rënda deri në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe u desh të kthehej në punë kur fëmija mbushi tre muaj.

“Isha e detyruar të kthehesha në punë sepse më duhen para që të ushqej fëmijët”, tha ajo. “E lashë punën kur pronari na uli pagën.”