GOLLOBORDA, vendi i varfër i mjeshtërve të punës dhe të mundjes

757

Nga URIM BAJRAMI

Ah, sikur të ishte bërë kjo Rruga e Arbërit, ah…!
E pamundur të mos e dëgjoje këtë ofshamë të zgjatur tek ata që kishin tejmbushur rrugët e Ostrenit të Madh, të enjten e 18 majit. Gra, burra dhe fëmijë i gëzoheshin kampionatit tradicional të mundjes, një aktivitet tashmë i përvitshëm, që përpiqet të mbajë gjallë një traditë të vyer e të vjetër sa vetë Golloborda.

Ostreni, ai i madhi, ishte bërë gati për të pritur mysafirë nga çdo cep i Shqipërisë ku gollobordasit duarartë kanë lënë gjurmët e tyre të pashlyera. Mysafirë ishin dhe kampionët e mundjes, të shpërndarë në shumë vende të botës. Ata u nderuan me kupa dhe tituj nga organizatorët e kampionatit tradicional të mundjes, si një përpjekje modeste për të kthyer kokën pas e për të mos harruar një trashëgimi që ua kanë zili të gjithë. Sofra e madhe e Gollobordës do të dukej e paplotë pa përfaqësuesit nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, bashkë me ekipet e tyre të mundjes, të cilët u ndeshën me vëllezërit e tyre në tapetin e gjelbër të barit.

Të gjithë kishin udhëtuar me qindra e qindra kilometra, në rrugë plot gropa, me dhe pa asfalt, për të mbërritur në qendrën e Gollobordës, për të duartrokitur djemtë e tyre mundës të të gjitha kategorive, e nga ana tjetër për të kujtuar të gjithë ata mjeshtra të këtij sporti burrëror. Kujtuan dhe nderuan kampionë me zë, që u dhanë emër dhe zë skuadrave më të njohura shqiptare, duke filluar nga Partizani, Tirana e Dinamo e deri tek Korabi, Vllaznia apo Përparimi i Kukësit.

USTAI NUK E DI KU I PIKON ÇATIA…

Nuk besoj se ka ndërtim në Shqipëri, ku nuk kanë lënë gjurmë gollobordasit, këta mjeshtër të ndërtimit. Ndërtuan vepra pa fund në kohën e komunizmit, vazhduan të ndërtojnë edhe në kohën e sotme të kapitalizmit. Siç shkruan miku im, Hilë Lushaku, njëherazi mik i vyer i të gjithë gollobordasve tashmë, në rindërtimin e vendit, pas çlirimit nga pushtuesit nazi-fashist, spikati më fort se kurrë dora mjeshtërore e kryeustallarëve gollobordas, që në fillim i quanin “ustabash”, e më pas “duarartë”, “kryemjeshtër” dhe “të talentuarit”. Nuk e kishin zakon për t’u ankuar, por dhe kur ndodhte, nuk i dëgjonte askush.

“Vula” e duarve të rreshkura, por mjeshtërore të gollobordasve gjendet kudo ku ka vepra të ndërtuara përgjatë shumë viteve; në hidrocentrale, në kantiere të shumta ndërtimi, ndërmarrje, fabrika dhe uzina, në pallate banimi të panumërta që u dhanë formën e plotë qyteteve industriale në mbarë Shqipërinë. Ustallarët gollobordas u rritën, u burrëruan dhe u thinjën në veprat e kohës, aty mësuan dhe përsosën mjeshtërinë e gurskalitësit, muratorit dhe minatorit, inxhinierit dhe karpentierit. Ishin ndoshta themelues të zonave dhe qyteteve industriale – kur bëhet fjalë për zanatin e tyre – si ish-Qyteti Stalin, ish-Metalurgjiku, Laçi etj.

Jo vetëm kaq. Janë me emër të dëgjuar disa nga veprat më në zë që janë ndërtuar nga gollobordasit dhe dibranët në Selanik, Stamboll e më gjerë, si xhami, shkolla, konvikte, qendra tregtare, shëtitore etj. “Në Carigrad, dibranë specialistë nga Golloborda, kanë kryer punimet në oborrin e Illdiz-Koshk-Dollma, për ndërtimin e të cilëve janë dekoruar me dekorata e medalje dhe privilegje të tjera të Perandorisë Turke. Ata ftoheshin në festime të ndryshme dhe ushtarake, ku mbanin në gjoks dekoratat e tyre”, shkruan studiuesi i njohur Kërsto Kostov.

Pavarësisht mjeshtërisë së tyre, qoftë në kohën e Enver Hoxhës, qoftë dhe më pas, Golloborda thuajse është harruar nga qeveritë shqiptare. Askush nuk e vuri “ujin në zjarr” për të dhe banorët e saj, që nuk kanë lënë cep të vendit pa ndërtuar, por asnjëherë nuk e kuptuan se ku pikonte çatia e shtëpisë së tyre. Ose nuk kishin kohë për ta kuptuar. Linin familjet dhe rrugëtonin anë e mbanë Shqipërisë, atje ku vendi kishte më shumë nevojë për ta. Ndërtonin, riktheheshin për pak ditë pranë familjeve të tyre dhe përsëri nxitonin për të shkuar kantiereve të shumta të ndërtimit, atje ku ndjehej mungesa e ustallarëve. Ndërtuan Shqipërinë, por nuk ndërtuan vendin ku lindën.

Për fat të keq, Golloborda është më keq se dje. Nesër do të jetë më keq se sot, nëse qeveritë do të vazhdojnë me indiferencën e tyre vrastare ndaj kësaj zone plotë tradita që i ka dhënë Shqipërisë gjithçka ka pasur. Populli thotë: Ustai e di ku i pikon çatia. A vlen kjo mençuri edhe për gollobordasit dhe vendin e tyre?
 
RRUGËT PA RRUGË

Të nisesh këto kohë për të shkuar në Gollobordë, në cilindo fshat të saj, duhet të mendohesh dy herë. Ngado që të nisesh, do të të duhet të kalosh ose nga Rruga e Çerenecit ose nga Klenja, nga ana e Librazhdit. Rruga që nis nga Ura e Çerenecit për në Ostren e më tutje është ku “thërret qameti”. Shumë që udhëtojnë me makina të vogla, i parkojnë ato afër urës dhe vijojnë udhëtimin me mjete më të larta ose me fugonët e shumtë aty pranë. Kur mendon se ia ke hedhur sadopak, vetëm pak kilometra më tutje rruga ndahet në dy drejtime. Një pjesë e fshatrave të Gollobordës shtrihen në anë të kufirit me Maqedoninë, dhe ajo që njihet si “rruga e kufirit” vetëm rrugë nuk mund të quhet. Ka qenë rrugë e keqe edhe para viteve ’90, por të paktën atëkohë mirëmbahej. Ndërsa gati dy dekadash kjo rrugë nuk ka “parë” as dhe një lopatë dhe a zhavorr. Shumë shpejt, nëse nuk vihet dorë sadopak mbi të, nuk do të dallojë shumë nga “shtigjet e dhive”.

Pjesa tjetër e fshatrave shtrihet në anën tjetër. Nga Ramnagora e tutje. Është rrugë më e mirëmbajtur e të çon drejt qendrës, Ostrenit të Madh për të vijuar më pas, përmes dy degëzimeve, drejt Klenjës e më tej drejt Librazhdit. Diku, pak pa hyrë në Ostren, ka një devijim që lidh rrugën e vjetër me rrugën e re që po ndërtohet prej vitesh, por që ende nuk ka përfunduar. Përfundimi i kësaj rruge do të gëzonte një pjesë të banorëve të kësaj zone, por pjesa tjetër mbetet si një xhep i fshehur, që nuk e vë re askush, as kur ka dhimbje.
Nëse kuvendon me banorët e Gollobordës, shtruar, fshat më fshat, mund të shkruash një histori më vete, sepse e tillë ka qenë jeta e tyre, histori e dhimbshme por plot me krenari. Secili ka një histori për të treguar. Histori plot dhimbje e sakrifica. Por ata zgjedhin të mos ankohen. Zgjedhin t’i ndërtojnë më parë shtëpinë tjetrit se sa të vetën… Kështu janë mbrujtur, rritur dhe edukuar.
 
FESTA E MADHE

Për fat, ne rrugëtuam nga Ramnagora. Peisazhi që ofron natyra, sidomos në këtë stinë, është fantastik. Kudo gjelbërim. Njerëz nëpër ara, për t’i bërë shërbimet e duhura asaj dhe për t’ia korrur frytet para se të vijë dimri i gjatë. Atmosfera festive ndjehet që larg. Oborri i shkollës “Elez Koçi”, një figurë e shquar e kësaj zone, po mbushet me shpejtësi. Nuk ka shumë burokracira gjatë ceremonisë. Muzikë, valle, fjalime të shkurtra, titujt, një vizitë në muzeun e krijuar për mundjen gollobordase. Kaq. Sepse të gjithë mezi presin të zhvendosen disa metra më tutje, ku është gara mes mundësve. “Aty është lezeti”, thotë një plak simpatik, i veshur si për festë. Festë? Po, po, festë. Mundja në Gollobordë është vërtet festë popullore. Të gjithë përpiqen t’i kryejnë sa më shpejt punët e ditës, ato më kryesoret, dhe nxitojnë për tek livadhi. Aty ku bëhet gara e mundjes.

Kush e njeh mundjen dhe duelin e përjeton shpirtërisht muzikën emocionale të duelit, shijon spektaklin dhe përjeton vuajtjen apo gëzimin e ndeshjes. Në Gollobordë, këtë e shijojnë të gjithë. Pa dallim. Ndaj përreth tapetit të gjelbër ka burra, gra e fëmijë.
Këtë vit, falë edhe ekipit dhe ndihmës së pakursyer që i ka dhënë ish-kampioni Skënder Rama, gara dukej më e fortë. Dhjetëra të rinj, të peshave të ndryshme, u dhuruan emocione pafund qindra e qindra spektatorëve. Gara që zgjati disa orë u mbyll me ndeshjen mes ish-kampionit Dëfrim Koçi më kampionin aktual kosovar, Edon Shala, pjesë e ekipit pjesëmarrës të Kosovës në këtë aktivitet. E ku kishte më bukur se një mbyllje e tillë, me një duel brezash dhe vëllezërish. Ceremonia mbyllet, por jo festa në shpirtin e gollobordasve. Ajo vazhdon…

 TË VARFËR, POR BUJARË

Zonë me dimër të ashpër e të zgjatur. Pa infrastrukturën më minimale. Zonë e izoluar që po shkon drejt braktisjes masive, për shkak dhe të indiferencës totale të shtetit. Vetëm pak fshatra po e ruajnë gjallërinë e tyre të dikurshme. Të tjerët i ka pllakosur heshtja. E dhimbshme deri ën palcë kur e mendon se, në raste vdekjesh nuk gjenden njerëz jo thjesht për t’i bërë nderimet e fundit, por për të hapur vendin ku do të prehet përjetësisht.  Një mik i imi, i cili për arsye pune kishte vizituar disa nga fshatrat e Gollobordës, kur u kthye në Tiranë, më tha: Me profesionin që kam, kam bredhur thuajse gjithë Shqipërinë. Por nuk kam ndeshur si në anët e tua. Zonë e varfër shumë, njerëz gjithashtu të varfër, por shumë bujarë…!

Të tillë janë gollobordasit. Të presin me atë që kanë, të respektojnë si mikun e tyre më të shtrenjtë, dhe në fund të përcjellin duke të dhënë me vete gjithmonë diçka si dhuratë. Ç’rëndësi ka se çfarë është. Vlera e saj është e madhe. Të lidh fort me shpirtin gollobordas, ndaj sa herë ke mundësi kërkon të rikthehesh aty e të çmallesh me miqtë e tu. Të shumtë ishin miqtë e ftuar në kampionatin e mundjes tradicionale, që u zhvillua së fundi në Ostren. Dëgjonin me ëndje historitë e shumta me mjeshtër të ndërtimit, të mendjes e të mundjes. Shumë prej tyre vinin për herë të parë në Ostren.

Shijuan gjithçka, që nga gatimet tradicionale të zonës, vallet dhe këngët e saj, shoqëruar në çdo rast me veshjen e bukur popullore të krahinës, e deri tek duelet e mundësve në livazhd, sipas kategorive, grupmoshave dhe peshës. Miqtë u kërkonin organizatorëve të kampionatit ta vazhdojnë këtë traditë të bukur, duke premtuar se do të jenë përsëri në Ostren.

DASMA DHE MUNDJA, NJË BINOM I PANDARË

-Nga je?
-Nga Golloborda.
-A vazhdojnë ende dasmat me mundje…?
Janë pyetje që i kemi ndeshur të gjithë ne gollobordasit. Miq anekënd Shqipërisë, që për arsye të ndryshme kanë marrë pjesë në dasmat gollobordase, janë mrekulluar prej tyre, prej traditës që nis nga e hëna në mëngjes për t’u mbyllur të hënën tjetër, me përcjelljen e dasmorëve të fundit.

Dasma ka ritualet e saj, si çdo gëzim të tillë. Por disa tradita të zonës e hijeshojnë edhe më shumë dasmën gollobordase: Që nga marrja e bajrakut, i cili prin deri në përfundim të dasmës, dita e dridhit, e hallvës të përgatitur në shesh e që shpërndahet për të ftuar e të paftuar, e deri tek marrja e nuses, për ta mbyllur me mundjen.
Ja, pikërisht këtë episod monumental, që mblidhte dhe ende mbledh burra të zonës, jo thjesht për të shijuar emocionet e ndeshjeve, por dhe për ta garuar, të kujton kampionati tradicional i mundjes.

Në një marrëveshje me vetveten për të mos përmendur emra organizatorësh dhe mbështetësish të këtij aktiviteti tashmë të kthyer në traditë – pasi ata të gjithë janë për t’u falenderuar pa fund – mund të them vetëm se libri “Pehlivanët e Gollobordës” që i parapriu këtij aktiviteti, është një botim voluminoz, me shumë vlera, që risjell në kujtesë mundjen gollobordase, bashkë me kampionët e saj. Një hap i parë për t’u pasuar dhe pasuruar edhe më tej, e për të përfshirë brezat e ardhshëm e të talentuar të mundjes gollobordase, që nuk është vetëm e saj, por prej dekadash i përket Shqipërisë po aq sa edhe tabanit ku lindi.
Nuk ka patur në Gollobordë dasëm pa mundje.

Nuk ka patur garë mundjeje që të mos mblidhte rreth vetes kampionët e saj, që vinin sa nga Kukësi e Shkodra, por aq dhe nga Tirana. Dasma dhe mundja ishin dhe janë ende një binom i pandarë. Edhe pse lëvizjet demografike pas viteve ’90 patën ndikimin e tyre, si kudo edhe në Gollobordë, disa fshatra të saj po përpiqen ta mbajnë gjallë këtë traditë të bukur. Optimizmi ndjehej thuajse tek të gjithë pjesëmarrësit, të enjten e 18 majit. Teksa ndiqnin dhe duartrokisnin garën e bukur të mundjes falenderonin organizatorët e këtij kampionati tradicional, që jo vetëm u risjellin emocionet e këtij sporti të ashpër në pamje të parë, por njerëzor kur e përjeton nga afër. Sepse për Gollobordën dhe gollobordasit, “dasma dhe mundja janë një binom i pandarë”.

BURIMI: Gazeta “Rruga e Arbërit”
FOTOT NGA: Studio “KARAJ” Bulqizë