Gjykata rrëzon kërkesën e mbrojtjes për mos marrë si provë përgjimet e “Dosjes 184”

1220
Foto ilustruese nga Bulqizaime.al

Gjykata e Dibrës hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes për papërdorshmërinë e përgjimeve të “Dosjes 184”, për dy nga të akuzuarit si pjesë e skemës së manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2016 në Dibër.

Në seancën e së martës ishin të pranishëm Hasan Hotit, ish-Administrator i Lurës dhe avokati Gentjan Rumano, ndërsa mungonte ish-shefit i Komisariatit të Dibrës, Robert Aga e justifikuar për shkaqe shëndetësore.

Pas fillimit të seancës gjyqtarja Nertila Kape, njoftoi se kishte vendosur rëzimin e kërkesës së avokatit të pandehurve për papërdorshmërinë e përgjimeve.

“Gjykata vlerëson se kjo kërkesë është e pabazuar dhe duhet rrëzuar. Deri më tani ka praktikë të Gjykatës së Lartë që është e konsoliduar në të cilën përdorshmëria apo pa përdorshmëria e përgjimeve si mjet për kërkimin e provës nuk lidhet domosdoshmërisht me veprën panale me të cilën është bërë regjistrimi”, tha Kape, në lidhje me kërkesën e avokatit.

Kape vendosi pranimin e kërkesës tjetër të avokatit të pandehurve për marrjen e disa dëshmitarëve të kërkuar prej tij.

Avokati i të pandehurve, Gentjan Rumano pas fjalës së prokurorit, kërkoi të dinte nëse transkriptet e përgjimeve konsideroheshin si provë apo për këto transkripte përgjimi kërkohen edhe verifikime të mëtjeshme.

Prokurori i Dibrës, Urim Buci tha në sallën e gjyqit se procesverbalet e transkripteve janë provë. “Në lidhje me situatën dhe në kohën në të cilën janë kryer ata, shkresat e kompanive celulare për pronësinë e numrave si dhe urdhrat e emërimit në detyrë të të pandehurit Robert Aga ose të të pandehurit tjetër, Hasan Hoti. Duke ju referuar kontekstit të procesverbalit të transkriptit organi i akuzës krijon bindjen ky i pandehur ka kryer element të veprës penale të shpërdorimit të detyrës në kontekstin dhe në kohën e kryer.”, tha Buci.

Po këtë të martë u zhvillua edhe procesi i dytë për të njëjtën dosje me të akuzuar ish-drejtorin e Zyrës Arsimore Drini Gjeci, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre.

Ky proces drejtohet nga zv.kryetari i Gjykatës së Dibrës, Edvan Veçani. Veçani mori shqyrtimin e dosjes pasi më herët përjashtoi nga gjykimi gjyqtarin Ardit Kuka, pas kërkesës së të pandehurve dhe mbrojtjes, me arsyetimin se ai  kishte gjykuar ndarjen e çështjes dhe ka gjobitur avokatët për mungesat që kishin sjellë vonesë të gjyqit.

Në fillim të procesit Veçani refuzoi një kërkesë të BIRN për filmim të pjesshëm të seancës, nën argumentimin se të pandehurit e refuzojnë një gjë të tillë. Seanca u shty pasi disa nga personat e dyshuar si të dëmtuar prej shantazheve në këtë proces nuk u paraqitën. Prokurori i Dibrës, Urim Buci dhe avokati mbrojtës i të pandehurve ranë dakord që të bëhet njoftimi sërish nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë të pandehurit në manipulimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Dibër në vitin 2016, u dërgua në gjykatë në fund të vitit që shkoi, ndërsa më 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim. Në qershor të vitit që shkoi ndosha u nda në dy pjesë. Të pandehurit Robert Aga dhe Hasan Hoti po gjykohen në një gjyq normal në të cilin pritet të ketë edhe dëshmitarë. Ndërkohë të pandehurit Drini Gjeci, ish-drejtori i Zyrës Arsimore, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre, po gjykohen në një gjyq të shkurtuar. Në të dy proceset ka pasur vetëm pak seanca produktive.