Gjykata Kushtetuese i drejtohet Komisionit të Venecias për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit

190
Gjykata Kushtetuese. Foto: ATSH

Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë një vendim mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, por ja ka kaluar çështjen Komisionit të Venecias.

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar shqyrtimin kushtetues deri në marrjen e një opinioni nga Komisioni i Venecias lidhur me ligjshmërinë e zgjedhjeve në 30 qershor.

Palët në çështje kanë të drejtë të paraqesin nga një pyetje për Komisionin e Venecias.

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot padinë e Shoqatës së Bashkive për ligjshmërinë e zgjedhjeve vendore 30 qershorit. Kjo shoqatë drejtohet nga Voltana Ademi, kryebashkiake e Shkodrës.

Ajo kërkoi shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të 30 qershorit, pasi ato u mbajtën pavarësisht dekreteve të Presidentit, Ilir Meta që i kishte shtyrë ato për më 13 tetor.

“Kam bindjen që pluralizmin nuk do ta asgjësojë asnjë autokraci dhe se Gjykata Kushtetuese do të vendosë kthimin në jetë të pluralizmit politik në nivel vendor dhe për rrjedhojë edhe të demokracisë vendore.” shkruan Ademi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për opinion nga Komisioni i Venecias.

Në fillim të seancës së të mërkurës, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Bashkisë Tiranë për marrjen pjesë në gjykim të Shoqatës për Autonomi Vendore dhe për pezullimin e gjykimit derisa Gjykata Administartive të japë një vendim për kryetarin e Shoqatës së Bashkive.