Gjykata e Dibrës lë në burg të dyshuarit për blerje votash në Maqellarë

1135
Kontrolli i makinës së dyshuar nga prokuroria. Foto: Mahir Jangulli

Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Dibër ka pranuar kërkesën e prokurorisë pranë kësaj gjykate për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për dy të arrestuarit më datë 22 prill në Maqellarë, Denis Xholi, drejtori Juridik në Bashkinë Bulqizë dhe Abjon Ceku.

Këta dy persona, në makinën me të cilën udhëtonin u gjetën 500 mijë lekë, fletëpalosje dhe lista me emra votuesish të bllokuar në Maqellarë nga mbështetës të Partisë Demokratike me dyshimin se ishin duke shpërndarë para për vota. 

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Dibër kishte ngritur akuzat për veprat penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë, duke lënë me masë sigurie arrest me burg për dy personat.

Avokati mbrojtës Halil Zhuka, tha për mediat se nuk ka prova që personat e arrestuar ta kenë kryer këtë vepër penale. “Personat në hetim deklaruan se nuk e kanë kryer veprën penale që akuzohen sepse janë kapur në makinë, nuk kanë qenë në kryerje e sipër as në provat që i implikojnë për veprën penale.” tha avokati.

Makina qëndroi e bllokuar për afro një orë  prej mbështetëve të PD-së, deri në mbërritjen e policisë dhe prokurorit, që më pas ka bërë shoqërimin e personave që ndodheshin brenda saj.

Në një deklaratë për mediat PS e Dibrës pretendoi se blerësit e dyshuar nuk ishin të saj, por të LSI. Ndërsa nga shtabi elektoral i Partisë Socialiste në Bulqizë bëhet me dije se, drejtuesi juridik në Bashkinë Bulqizë, Denis Xholi është pezulluar nga puna “derisa drejtësia të japë fjalën e saj” thuhet në deklaratë.