Gjykata e Dibrës gjobit avokatët e gjysmës së “Dosjes 184”

1040
Seancë gjyqësore e të ashtuquajturës Dosja 184 në Gjykatën e Dibrës. Foto: Sami Curri

Gjykata e Dibrës shtyu të martën seancën e gjykimit për dy të pandehur, që janë nën akuzë si pjesë e skemës së manipulimit të zgjedhjeve të vitit 2016 në Dibër. Shtyrjen për të disatën herë të seancës u mor për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të pandehurve, Petrit Ismaili. Ky i fundit kishte sjellë një raport mjekësor për efektet anësore që kishte pasur, pasi marrjes së dozës së dytë të vaksinës së COVID-19.

Në seancën e së martës, ishin të pranishëm dy prej të akuzuarve nga prokuroria, ish-drejtori i Zyrës Arsimore, Drini Gjeci në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre.Gjyqtari Ardit Kuka, në seancën që shkoi vendosi gjobitjen e dy avokatëve – Gentjan Rumano dhe Petrit Ismaili me nga 50,000 lekë gjobë secili për mungesën e vazhdueshme në seancë.

Avokati Gentjan Rumano u mundua ti justifikonte mungesat përpara gjykatës:

“Petrit Ismaili ka munguar pasi ka bërë dozën e dytë të vaksinës kundër covid-19 dhe ka pasur reaksione alergjike në mushkëri,” tha ai, ndërsa shtoi se gjendja e keqe shëndetësore e kolegut të tij zgjat prej tre javësh.

“Në seancën e kaluar ne kemi munguar pasi kemi pësuar një defekt në automjetin me të cilin po udhëtonim,” shtoi Rumano.

Ai pretendoi se makinës i është çarë pompa e ujit, çka kishte sjellë rritje të tempraturës dhe mund të sillte djegien e motorrit të mjetit.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë  u dërgua në gjykatë në fund të vitit që shkoi,  ndërsa më 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim. Dosja u nda më pas në dy pjesë të pandehurit Aga dhe Hoti po gjykohen në një gjyq normal në të cilin pritet të ketë edhe dëshmitarë. Ndërkohë të pandehurit Drini Gjeci, ish-drejtori i Zyrës Arsimore, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre, po gjykohen në një gjyq të shkurtuar i cili po ashtu është shtyrë disa here gjatë muajve të fundit.

Avokati, Gentjan Rumano kërkoi nga Gjykata e Dibrës më shumë kohë për prezantimin e konkluzioneve, pasi ishin të ngarkuar me disa çështje dhe nuk kishin personelin e mjaftueshëm për përballimin e tyre. Prokurori i çështjes, Urim Buci ishte dakord që gjyqi të shtyhej në mungesë të konkluzioneve nga avokatët e të pandehurve.

Seanca e radhës për dy të akuzuarit e dosjes 184 është vendosur më 19 tetor në orën 13:30.