GJKKO lë në burg Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë së Bulqizës, Leonard Daçi

830
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka rikonfirmuar masën “arrest me burg” për Leonard Daçi, sekretar i përgjithshëm në Bashkinë e Bulqizës, pjesë e grupit të zyrtareve të këtij institucioni që u arrestuan, përfshirë kryebashkiakun Lefter Alla.

Ditën e rivlerësimit të masave për të arrestuarit e tjerë, Daçi u paraqit papritur në Gjykatë ku i’u tha togave të zeza se ishte pjesë e personave ndaj të cilit ishte caktuar një masë sigurie, teksa këta të fundit vijonin procesin.

Ndryshe nga sa kishte njoftuar zyrtarisht Prokuroria e Posaçme, Leonard Daçi, sekretar i përgjithshëm në Bashkinë e Bulqizës, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, u paraqit befas në GJKKO rreth 2 orë pas nisjes së seancës për caktimin e masave së sigurisë.

Ai erdhi i shoqëruar nga avokati Arben Peci, ku trokiti në dyert e sallës duke vënë në dijeni Gjykatën se ishte një nga të pandehurit e dosjes, dhe ndaj tij ishte marrë në mungesë masa e sigurisë “arrest me burg”. E teksa ishte në banesë pretendon ai, dëgjoi emrin e vet që përmendej në media si një nga të arrestuarit, por në fakt ai ndodhej në Tiranë.

Daçi njoftoi avokatin duke i kërkuar mendim, i cili i sugjeroj të paraqitej në gjykatë. Aktualisht Daçi ndodhet brenda sallës së gjyqit, por ai u la të vlerësohet në një moment të dytë pas bërjes së procedurave.

Ndërkohë, të paktën edhe ndaj një personi tjetër thonë burimet nuk është ekzekutuar masa e marrë në mungesë nga GJKKO. Bëhet fjalë për Denis Xholin, ish-drejtor juridik në Bashkinë e Bulqizës, i cili ndodhet jashtë vendit. Ky i fundit u arrestua edhe në vitin 2021 nën akuzë për blerje votash.

Më 18 mars GJKKO caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla dhe zyrtarët e tjerë të arrestuar. Gjatë dëshmisë së tij, Alla i konsideroi akuzat si sulme politike ndaj tij.

Ndaj Allës dhe zyrtarëve të tjerë të bashkisë u caktua masa e arrestit me burg nën akuzën se kanë favorizuar Aqif Koneshën, njërin prej të afërmve të kryebashkiakut të cilit i janë besuar punimet për kanalizimet.

Ndërtimi i rrjetit KUZ, Lagjia e vjetër, Bulqizë. Foto: Sami Curri

SPAK ka zhvilluar përgjime gjatë kësaj periudhe dhe ka provuar se Alla ka pasur kontakte dhe komunikime me biznesmenin Aqif Konesha i kompanisë që kryente punimet për kanalizimet. Mësohet se së bashku kanë udhëtuar jashtë vendit me makinë. Ndërsa nënkryetarja e bashkisë Bulqizë, Enkeleda Lleshi, që është mes të arrestuarve për abuzim, kishte dhënë më herët dorëheqje nga detyra pasi nuk donte të bëhej palë në firmosjen e tenderëve, por kanë arritur ta bindin që të kthehej.

Nga hetimet ka dyshime të forta se kryebashkiaku Alla, në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë Enkeleda Lleshi, si edhe punonjësit e tjerë kanë favorizuar dy kompanitë ‘BOE Egland shpk’, dhe ‘BE-IS shpk’, gjatë procedurës së prokurorimit publik. Ky favorizim i këtyre dy kompanive është bërë me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila është në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Koneshës.

Kryebashkiaku Alla në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë kanë miratuar kritere për të favorizuar dy firmat ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’ që morën pjesë në tender. Pasi i shpallën fituese këto firma, punimet për kanalizimet realizoheshin nga firma ‘OE 2AF Albania shpk’. Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë rreth 3 mln euro, me afat kohor 10 mujor. Kompanitë që dolën fituese të tenderit kanë si administrator Rasim Dacin, për ‘BOE Egland shpk’, ndërsa administratori i ‘BE-IS shpk’, është Kastriot Ibrahimaj.

Kanali i ujërave të zeza në lagjen e vjetër në Bulqizë, në sipërfaqe dhe konsideruar i përfunduar.

Ndaj kryebashkiakut Alla dhe nënkryetares Lleshi rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Ndërkohë, ndaj të afërmit të Allës, Aqif Konesha rëndon akuzat për veprë penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Po për falsifikim dokumentesh akuzohen edhe dy administratorët, Rasim Daci dhe Kastriot Ibrahimaj, ky i fundit është lënë në arrest shtëpie.

Lefter Alla, i cili drejtonte Partinë Socialiste në Bulqizë, e mori detyrën e kryetarit të bashkisë në zgjedhjet pa opozitën në qershor të 2019-s. Më parë këtë detyrë e mbante daja i Allës, Melaim Damzi, që ishte zgjedhur si kandidat i koalicionit të majtë, por me propozim nga Lëvizja Socialiste për Integrim.