Gjenden të vdekur tre minatorët e humbur në Dibër

477
Foto ilustrative. Një minator gjatë punës.

Tre personat që u njoftuan të humbur mbrëmjen e të mërkurës në një galeri në Selishtë të Dibrës, u gjetën të vdekur mëngjesin e të enjtes nga grupi i “avari-shpëtimit”. Inxhinieri Ismail Hoxha 62 vjeç dhe minatorët Fatos Cesku, 55 vjeç dhe Rruzhdi Rushiti 29 vjeç u nxorrën të pa jetë nga galeria.

Policia tha se dyshohej që minatorët të ishin asfiksuar nga një shpërthim gazi gjatë kohës që ishin duke punuar në një galeri.

Nga ana e grupit avari- shpëtimit, u gjetën trupat e pajetë të shtetasve, I. H., 64 vjeç, banues në Peshkopi, F. Ç., 55 vjeç, banues në Bulqizë dhe R. R., 33 vjeç, banues në Bulqizë.” thuhet në njoftimin e policisë.

Të afërm të tre viktimave njoftuan policinë të mërkurën rreth orës 18.00, pasi kishin humbur kontaktet me ta. Policia njoftoi në mbrëmje se kishte gjetur rrobat dhe celularët e viktimave jashtë galerisë dhe se dyshonte që ata ishin bllokuar. Operacioni i kërkim shpëtimit zgjati sipas policisë deri në orën 3 të mëngjesit, kur ata u gjetën të vdekur në galeri.

Inxhinieri Ismail Hoxha, është nga qyteti i Peshkopisë dhe siç mësoi BIRN kishte vetë licensë për shfrytëzim galerinsh në zonë. Dy viktimat e tjera janë minatorë nga qyteti i Bulqizës.

BIRN mësoi se në zonë kishte disa karriera të hapura (nxjerrje mineralesh në sipërfaqe) dhe disa tunele që shfrytëzoheshin për nxjerrje kromi. Minierat ndodhen në zonën e “Balgjajt” rreth pesë orë nga qyteti i Peshkopisë në një lartësi 1900 metra nga niveli i detit.

Ky është një nga aksidentet më të rënda në minierat e vendit në vitet e fundit. Minierat janë një nga vendet më të rrezikshme të punës në Shqipëri dhe çdo vit ka aksidente të rënda me humbje jete.  Në pesë vite duke përfshirë edhe viktimat e këtij aksidenti, 30 minatorë kanë humbur jetën dhe dhjetra të tjerë janë plagosur.