Gazetari Sami Curri, vlerësohet me çmim nga Porta Vendore për shkrimet më të mira gazetareske

1602
Gazetari Sami Curri gjatë ceremonisë. Foto: Livia Kreko

Porta Vendore, një platformë e ngritur nga Lëviz Albania, mbrëmjen e 17 qershorit ndau çmimet për shkrimet më të mira gazetareske të realizuar gjatë një viti, e të publikuara në këtë platformë. Ky projekt është financuar nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim dhe implementuar nga koaliconi i 3 organizatave shqiptare.

Gazetari nga Bulqiza, Sami Curri u vlerësua në kategorinë “Vëzhgimi më i mirë” me artikullin “Bulqizë, qendrat shëndetësore pa ujë dhe energji elektrike” .

“Faleminderit Porta Vendore për mundësinë që na ka krijuar. Një bashkëpunim që ka sjellë në një platformë, artikuj me qasje problemore në shumë zhanre të gazetarisë, thuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë. Por mbi të gjitha, ka bërë të mundur që të dëgjohet edhe zëri i banorëve që jetojnë në qytete të vogla dhe jashtë zhurmës, në shumë drejtime që të ofron Tirana.” U shpreh Curri në fjalën e rastit.

Ndërsa në kategorinë “Analiza më e mirë” u vlerësua gazetari nga Durrësi, Geri Emiri me artikullin “Durrës, bregdeti i pushtuar nga ndërtimet e paligjshme” . Çmimi për investigimin më të mirë, shkoi për gazetaren nga Elbasani, Fatbardha Nergjoni me shkrimin “Elbasan, leje mjedisore me dëgjesë publike false”.

Vlerësimi i artikujve të publikuara në këtë platformë është bërë nga një juri profesionistësh të fushës së medias e përbërë nga Lutfi Dervishi, Elira Çanga dhe Besar Likmeta. Kjo juri shpërndau edhe dy certifikata mirënjohje për gazetarët, Elisa Gjerani dhe Artan Rama.

/bulqizaime.al/