FOTO/ “Ura e vdekjes” në Zall – Sopot dhe rruga e harruar nga shteti

1288

Banorët e fshatit Zall – Sopot të njësisë administrative Zerqan e kanë shprehur disa herë shqetësimin e tyre në lidhje me urën afër shembjes, në afërsi të Tre Çezmave.

Kjo urë e cila lidh disa fshatra të njësisë administrative Zerqan, u kthye në qendër të vëmëndjes pak muaj më parë.

Në këtë urë, një kamjonçinë me targa AA 782 DH, ka rënë në lumin e Bulqizës dhe si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i automejtit, Indrit Zeneli, 40 vjeç dhe Edion Kola, 35-vjeç, që të dy banues në fshatin Sopot, ndërsa një i tretë mbeti i plagosur.

Sa herë që vijnë zgjedhjet, gjëja e parë që ju premtohet këtyre banorëve është ura. Kjo urë daton që prej vitit 1939, fillimisht e ndërtuar gjatë pushtimit Italian, me trupa prej druri dhe ganxha. Në vitet ’60 do të ndërtohej nga regjimi komunist dhe që prej atëherë nuk është vënë më dorë në të.

Në vitin 2012, përfolej se do të rindërtohej, por që deri më sot, pas 5 vitesh asnjë makineri nuk është dukur.

Në vitin 2015, ish-komuna Zerqan do të sistemonte rrugën me gjatësi prej 2 km që lidhte Tre Çezmet me Zerqanin, por që në investim nuk futej ura, pasi kjo ishte nën varsinë e Këshillit të Qarkut.

Që prej vitit 2015 e në vazhdim, rruga me gjatësi prej 2 km që lidh disa fshatra të njësisë administrative Zerqan është lënë në harresë.

Në foto: Rruga që të lidh me Zerqanin

Kanalizime të pa pastruara, që kanë sjellë që ujrat e shirave dhe të dëborës të mbulojnë këtë rrugë duke u bërë shumë e rrezikshme për banorët.

Siç konstaton bulqizaime.al kjo rrugë është shumë e rrezikuar edhe nga rrëshqitjet e dherave.

Që prej vitit 2015 e deri më sot, askush nuk është kujtuar që të pastroj shembjet e dherave që kanë rënë në rrugë, apo pastrimin dhe sistemimin e kaneleve kulluese, deklaron një banor për bulqizaime.al.

Banorët deklarojnë se janë ankuar disa herë tek njësia administrative Zerqan, nën varsinë e bashkisë Bulqizë që të pastrojnë kanalet kulluese dhe dherat që kanë bllokuar segmente të caktuara të rrugës, por edhe pse kanë kaluar dy vite askush s’ka marrë masa.

Me sa duket këta banorë do të duhet të presin edhe pak muaj, ku partitë politike do ju trokasin në derë e do ju kërkojnë votën, me premtimin se kjo urë dhe rruga një ditë do të sistemohen.

/bulqizaime.al/