FOTO/ Fushë – Bulqizë, banorët peticion Këshillit Bashkiak Bulqizë dhe bashkisë për sistemimin e rrugëve

581

Pasi kanë protestuar disa herë për gjendjen e mjerueshme të rrugëve, banorët e fshatit Dushaj të njësisë administrative Fushë – Bulqizë, kanë firmosur një peticion që i është drejtuar: Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë Bulqizë.

Një përfaqësi prej pesë personash, ditën e sotme ka bërë depozitimin e afro 200 firmave të mbledhura, pranë sekretarisë së Bashkisë Bulqizë.

Banorët e fshatit Dushaj kanë protestuar disa herë për gjendjen e rënduar të rrugëve, por që nga Bashkia Bulqizë nuk është marrë asnjë masë për zgjidhjen e këtij problemi.

Përfaqësuesit e banorëve shprehen se nuk kishte ngelur formë tjetër, pasi protestat e organizuar prej tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.

Në rast se edhe këtë herë nuk do të marren masa për rehabilitimin e rrugëve lidhëse të fshatit Dushaj, Kodra e Danit dhe Lepurakë ata do të përshkallëzojnë protestën e tyre.

Ndërsa nga bashkia nuk ka pasur asnjë reagim për këtë çështje.

Më poshtë kërkesa dhe peticioni firmosur nga banorët e fshatit Dushaj:

Drejtuar:

  • Këshilli Bashkiak Bulqizë
  • Kryetarit të Bashkisë Bulqizë

Ne, banorët e fshatit Dushaj, njësia administrative Fushë – Bulqizë, me të drejtën që na garanton Kushtetuta e Shqipërisë, saktësisht neni 48 ku thuhet:

“Kushdo, vetë ose së bashku me të tjerë, mund t’u drejtojë kërkesa, ankesa ose vërejtje organeve publike, të cilat janë të detyruara të përgjigjen në afatet dhe kushtet e caktuara me ligj”, kërkojmë:

Që bashkia Bulqizë të marrë masa të menjëhershme për sistemimin e rrugës automobilistike që lidh fshatrat Dushaj dhe Lepurakë, me rrugën nacionale Tiranë – Bulqizë – Peshkopi.

Kjo është një rrugë jashtë çdo standardi dhe që prej vitesh nuk është investuar në të. Kanalet e bllokuara, rruga është e mbushur me gropa, duke u kthyer në një rrezik për drejtuesit e mjeteve. Situata paraqitet më e rëndë kur kushtet e motit janë të këqija; balta dhe uji e bëjnë shumë të vështirë kalimin e këmbësorëve në të.

Në këto kushte, ne kërkojmë që bashkia Bulqizë të marrë masa të menjëhershme për sistemimin e saj, hapjen e kanaleve kulluese dhe vendosjen e tubacioneve për kullimin e ujrave, ose në të kundërt do të përshkallëzojmë protestën tonë!

Për këtë, po ju bashkangjisim edhe firmat mbledhur nga ana jonë.

Ne jemi besimplotë se Bashkia Bulqizë do ti marrë parasysh kërkesat tona!

/bulqizaime.al/