Flet Gjetan Keta: Si më pritën në plazhin e Durrësit (VIDEO)

416

Jo vetëm pushues nga trevat shqipfolëse, por edhe njerëzit e artit dhe të sportit janë duke pushuar në plazhin e Durrësit këtë verë. Një prej tyre është boksieri shqiptar i njohur për arritjet e tij të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, Gjetan Keta që ka mbërritur këto ditë nga Gjermania në plazhin e Durrësit.

Boksieri shqiptar Ismail Keta, kampion në nivel evropian është kthyer për të pushuar e për t’u stërvitur në bregdetin e Adriatikut. Kampionin e Kick Boksit në Gjermani e gjetëm në një prej resorteve në shkëmbin e Kavajës.

Është mirëpritur nga të zotët e restorantit, dhe tregon se do të qëndrojë disa ditë për të pushuar në këtë plazh, ku edhe ka gjetur kushte shumë të mira.

“Në këtë plazh isha edhe vjet, dhe prej këtu mora të gjtha energjitë pozitive të duhura për fitoren e ndeshjes. I vlerësoj shumë pronarët për mikpritjen që më kanë bërë. Njëkohësisht me pushimin një pjesë të ditës Ismail Keta e shpenzon duke u stërvitur. Ndeshja do të jetë në nëntor, prandaj një pjesë e stërvitjes do të jetë në Shqipëri, pjesa tjetër në Gjermani.

Si u bënë të suksesshëm në Gjermani vëllezërit Keta nga Bulqiza?

Ismail dhe Gjetan Keta kanë lindur në fshatin Koçaj të Bulqizës. Në vitin 1997, Ismail Keta kalon në Gjermani dhe punon fillimisht në një diskotekë në Vilzburg si “security”. Aty bie në sy të personaliteteve të sportit, që e nxisin të ushtrohet në disiplinën e tai e kikboksit. Fillon vrullshëm stërvitjen dhe shumë shpejt bëhet kampion i Gjermanisë, titull që e mban deri në vitin 2002, kur dëmtohet. Në vitin 2001 doli nënkampion bote në këtë disiplinë dhe ky ishte një sukses i madh për të. Në ndeshjen kur doli nënkampion bote nuk kishte në pallat të sportit asnjë shqiptar dhe ai paguan një austriak 100 dollarë që të mbante flamurin shqiptar.

Një gjest ky mjaft domethënës i një të riu që përveç suksesit të tij kërkonte të ndërgjegjësonte sportdashësit për identitetin e tij. Në vitin 2004 ndahet përkohësisht nga sporti si pasojë e dëmtimit dhe nis punën si trajner. Me ndihmën e miqve të shumtë gjermanë hap një akademi të tai e kikboksit, ku aktualisht janë të regjistruar më shumë se 300 sportistë nga vende të ndryshme të botës, ndër të cilët shumë shqiptarë. “Deutchland Kick Box” është akademia e Ketës në Munih, ku klientë janë dhe figura të njohura gjermane. Ismail Keta ka reputacion të madh. Falë vullnetit të tij të hekurt dhe një pasioni të jashtëzakonshëm për sportin, por edhe për të përmbushur një ëndërr të tij të hershme për të qenë kampion i botës, pas shtatë vitesh ndërprerje ai i rikthehet dhe një herë ringut. E nis fillimisht me disa ndeshje të rëndësishme në Tajlandë (vendi ku ky sport është shumë masiv). Atje zhvillon tri ndeshje dhe i fiton të tria. Atje pa që kishte energji për të vazhduar dhe në kampionatin gjerman të kikboksit, që njihet dhe si K-1, Ismaili riktheu staturën e tij të një kampioni të vërtetë.

Federata botërore i besoi atij dhe kërkoi një sfidant për titull botëror. Gjatë stërvitjes, Keta thyen hundën dhe i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, por kjo nuk e pengoi atë të vazhdonte rrugën të cilën e kishte ëndërr. Sfidanti, hungarezi Jozef Diklaund, mbante kurorën e kampionit të Europës në tre vite rresht, pra ishte shumë i fortë. Por në “Cirkus Arena”, karakteri shqiptar, besimi në vetvete dhe mbështetja e fuqishme e tifozëve kuqezi, bënë që Xhoni Keta (kështu njihet Ismaili në Gjermani), të shpërthente dhe ta shpartallonte kundërshtarin plotësisht në raundin e tretë, duke fituar sfidën me nokaut.

Bashkë me Ismailin është dhe vëllai i tij, Gjetan Keta, një tjetër sportist i talentuar, që në vitin 2007 fitoi turneun ndërkombëtar të tai e kikboksit në Tiranë. Aktualisht Gjetani konkurron në boksin profesionist në peshën e mesme, ku në 11 ndeshje ka 10 fitore (9 prej të cilave me nokaut) dhe një humbje. Ai stërvitet me ish-kampionin e botës Feliks Shtrum në Këln. Përveç Gjetani nga fisi Keta ka dhe shumë djem të tjerë që ushtrohen në sportet e rënda dhe po ndjekin rrugën e suksesit në këtë drejtim.

BURIMI: K.H. /portali DurresLajm/