Tre këshilltarët e kabinetit të Kryetares së Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, i kushtojnë buxhetit të bashkisë mbi 40 mijë euro në vit, ndërsa nuk ka asnjë informacion zyrtar apo publik për profilin profesional, arsimimin apo fushën e ekspertizës së personave që paguhen për të këshilluar drejtuesen e institucionit.
Të dhënat janë siguruar nga Bulqizaime.al përmes një kërkese për informacion, ku Bashkia Bulqizë konfirmon ekzistencën e tre pozicioneve të këshilltarëve në kabinetin e kryetares. Sipas strukturës organike të miratuar nga Këshilli Bashkiak, secili këshilltar paguhet me 109 mijë lekë në muaj, vetëm pagë bazë. Në total, për tre këshilltarët shpenzohen rreth 3.9 milionë lekë në vit, ose mbi 40 mijë euro, pa përfshirë shpërblime apo kosto të tjera.
Në administratën publike, një këshilltar nuk është një pozicion ceremonial. Ai duhet të ofrojë ekspertizë profesionale në fusha si financat, legjislacioni, planifikimi strategjik, infrastruktura, marrëdhëniet me publikun apo politika të tjera sektoriale.

Edhe pse ligji për Vetëqeverisjen Vendore nuk vendos kufizim për numrin e këshilltarëve, praktika administrative në bashkitë me madhësi dhe buxhet të ngjashëm me Bulqizën është ndryshe.
Njohës të ekonomisë dhe të pushtetit vendor, të pyetur nga Bulqizaime.al, shprehen se bashki të nivelit të Bulqizës, zakonisht funksionojnë me një ose dy këshilltarë, ndërsa në shumë raste funksioni këshillimor mbulohet nga drejtori i kabinetit ose nga drejtuesit e bashkisë.
Sipas tyre, prania e tre këshilltarëve të dedikuar është më tipike për bashki me buxhete shumë më të mëdha dhe me projekte komplekse, si Tirana, Durrësi, Elbasani apo Vlora.
Në bashki me burime financiare të kufizuara, shtimi i pozicioneve të kabinetit duhet të justifikohet me nevoja konkrete dhe rezultate të matshme.
Ekspertë të ekonomisë dhe të pushtetit vendor, të cilët folën për Bulqizaime.al, vlerësojnë se problemi nuk lidhet vetëm me shumën e pagave, por me mungesën e transparencës.
Sipas tyre, kur qytetarët financojnë me taksat e tyre një strukturë këshillimore, ata duhet të dinë se në cilat fusha këshillohet kryetarja e bashkisë, cilat janë objektivat e këtyre këshilltarëve dhe çfarë rezultatesh konkrete kanë prodhuar. Në të kundërt, mungesa e informacionit krijon terren për dyshime mbi efektivitetin e këtyre pozicioneve dhe se mund të jenë thjeshtë për “qoka” politike apo personale.
Ata nënvizojnë se në rast se institucionet e kontrollit do të verifikonin aktivitetin e këshilltarëve, do të duhej të analizohej jo vetëm prania e tyre në vendin e punës, por më së shumti dokumentacioni që provon kontributin profesional në vendimmarrje.
Ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore” i jep kryetarit të bashkisë të drejtën të propozojë strukturën organizative dhe numrin e punonjësve, ndërsa miratimi bëhet nga Këshilli Bashkiak.
Ndërkohë, këshilltarët konsiderohen pjesë e kabinetit politik dhe nuk i nënshtrohen procedurave të konkurrimit të parashikuara për nëpunësit civilë. Megjithatë, ekspertët theksojnë se diskrecioni në emërim nuk duhet të ngatërrohet me mungesën e llogaridhënies, por fondet publike kërkojnë që qytetarët të kenë informacion mbi kush janë këta persona, çfarë aftësish kanë dhe çfarë vlere i sjellin institucionit. Kjo qoftë me një hapësirë në faqen e internetit të bashkisë, ku shpjegohet se kush janë dhe fushat përkatëse që mbulojnë.
Opozita në Këshillin Bashkiak të Bulqizës ka kundërshtuar vazhdimisht gjatë miratimit të buxheteve vjetore nivelin e lartë të pagave për drejtuesit dhe pozicionet e kabinetit, duke argumentuar se fondet publike duhet të orientohen më shumë drejt shërbimeve dhe investimeve për qytetarët. Sipas përfaqësuesve të opozitës, nuk është e justifikueshme që pagat për drejtuesit dhe këshilltarët të vendosen në kufijtë maksimalë të lejuar nga ligji, ndërkohë që, sipas tyre, mungojnë rezultate të matshme dhe ka persona në këto pozicione për të cilët qytetarët nuk kanë informacion mbi rolin, kontributin apo edhe praninë e tyre në institucion.










