Favorizuan ndërtime pa leje, ndalohen kryeinspektori dhe 3 inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Dibër

2002
Në foto: Bashkia Dibër burimi: web

Policia e Dibrës njoftoi të premten arrestimin e kryeinspektori dhe 3 inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë e Dibrës, të akuzuar për lejimin e ndërtimeve pa leje. Policia njoftoi se ka shpallur në kërkim ish-kryeinspektorin dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë.

“F. R., 33 vjeç, banues në Arras, Dibër, me detyrë kryeinspektor; J. O., 32 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë inspektor; Sh. I., 51 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë inspektor; A. C., banues në Peshkopi, me detyrë inspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. XH., 37 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë ish-kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër.” thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndalimi i këtyre personave është bërë për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin nuk kanë ushtruar detyrën konform ligjit dhe kanë përpiluar akte administrative fiktive në lidhje me kontrollet e zhvilluara “duke lejuar shfrytëzimin e një hapësire publike në pronësi të bashkisë Dibër, për të kryer ndërtim të paligjshëm në emër dhe për llogari të përfituesve, shtetasve Sh. B. dhe B. B.”

Në një deklaratë për mediat në maj 2021, drejtori i IKMT-së në qarkun e Dibrës, Lutfi Miftari, bënte me dije se njësitë e qeverisjes vendore me strukturat e mbrojtjes së territorit, nuk kanë marrë asnjë masë për frenimin e ndërhyrjeve në territor, pavarësisht se janë njoftuar.

Shkëlqim Murrja, kryetari në detyrë i bashkisë Dibër, deri në publikimin e këtij lajmi nuk ishte i disponueshëm për koment për arrestimet nga Policia në IVMT-në Dibër.

Strukturat e opozitës në Dibër, vazhdimisht kanë akuzuar drejtuesit e policisë dhe bashkive se kishin lejuar ndërtimet pa leje, në këmbim të votës në zgjedhjet e 25 prillit.

Lidhur me këtë rast, ka nisur procedimi penal edhe për punonjësit e bashkisë Dibër “B. Sh., 62 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë drejtor i DPKZHT-së bashkia Dibër, A. C., 29 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë përgjegjës i Kontrollit Territorit dhe E. Sh., 41 vjeç,  banues në Peshkopi, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.”

Sipas Policisë, procedimi penal ndaj tyre ka nisur për shpërdorim të detyrës, pasi kanë lëshuar leje rikonstruksioni për shtetasin Sh. B. dhe nuk kanë kryer procedurën përkatëse për ushtrimin e kontrollit në territor për zbatimin e lejes së lëshuar.

Pak javë më parë ndaj 4 punonjësve të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Dibër, Policia kishte nisur procedim penal për shpërdorim detyre.