“Është toka jonë e përbashkët”, banorët e Gjoricës së Poshtme peticion kundër parkut fotovoltaik në kullotat e fshatit

734
Foto ilustrim e peticionit në Gjoricë

Mbi 80 kryefamiljarë të fshatit Gjoricë e Poshtme kanë firmosur një ankesë drejtuar Bashkisë Bulqizë, Këshillit Bashkiak, Prefekturës së Dibrës dhe Ministrisë së Bujqësisë, duke kundërshtuar çdo tentativë për tjetërsimin e asaj që ata e konsiderojnë “mera e fshatit”, tokë e përbashkët e përdorur ndër breza si kullotë për bagëtitë.

Në ankesë, banorët shprehen se bëhet fjalë për një sipërfaqe toke që prej më shumë se 200 vitesh është lënë nga komuniteti si tokë e përbashkët, me funksion të qartë kullosor. Sipas tyre, kjo tokë nuk është ndarë gjatë reformës së tokës në vitet 1994 e në vijim, pikërisht për të mbetur në përdorim të përbashkët për familjet e zonës.

Ata pretendojnë se një person nga fshati po kërkon ta marrë këtë sipërfaqe për ndërtimin e një parku fotovoltaik, pa u paraqitur hapur para banorëve dhe pa prezantuar një projekt konkret. Në ankesë ngrihen akuza se banorëve po u kërkohen firma individuale nën presion.

Sipas banorëve, statusi i kësaj prone në përdorim të përbashkët është njohur edhe më herët me vendim të ish-Komunës Gjoricë, ndërsa aktualisht figuron në dokumentacionin e Bashkisë Bulqizë si tokë kullosore dhe pyjore. Për këtë arsye, ata kërkojnë që të mos lejohet asnjë formë zaptimi apo përdorimi tjetër që e nxjerr jashtë funksionit tradicional të saj.

“Kjo është e vetmja kullotë që ka fshati. Nëse merret për panele, bagëtitë mbeten pa hapësirë dhe familjet tona pa burimin kryesor të jetesës”, është një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga banorët në ankesë.

Ky reagim vjen pas dëgjesës publike të 17 marsit, e organizuar nga Këshilli Bashkiak i Bulqizës në Gjoricë të Poshtme, ku pati debate dhe përplasje mes banorëve dhe përfaqësuesve të bashkisë për parcelat që synohen të jepen në ankand. Në atë takim, një pjesë e banorëve kundërshtuan fort dhënien e sipërfaqeve, duke argumentuar se po preken kullotat tradicionale të fshatit dhe po reduktohen hapësirat për blegtori.

Lidhur me këtë çështje më 19 mars grupi i opozitës në Këshillin Bashkiak Bulqizë doli në mbështetje të banorëve, duke ngritur shqetësime për mungesë transparence, probleme procedurale dhe rrezik për cenimin e pronave të përbashkëta. Opozita i bëri thirrje edhe organeve të drejtësisë, përfshirë SPAK dhe BKH, që të monitorojnë procesin.

Debati për “tokën e përbashkët” në Gjoricën e Poshtme vjen në një kohë kur brenda pak javësh Bashkia Bulqizë ka dhënë me ankand mbi 100 hektarë tokë për projekte energjetike, ndërsa në këtë zonë një park tjetër fotovoltaik prej rreth 42 hektarësh është miratuar që në vitin 2024.