Erdhën, na vizituan dhe shkuan! Mbaruan pushimet për mërgimtarët në Dibër

912
Dibra e Madhe, Maqedonia e Veriut. Foto: Sami Curri

Pas prezencës të madhe të mërgimtarëve në Dibër këto ditë filloi kthimi i tyre nga ku erdhën. Këtë verë Dibra ishte përplot me mërgimtarë si nga SHBA ashtu edhe nga shtete të Evropës. Jo zyrtarisht në Dibër gjatë muajve të verës qëndruan mbi 5 mijë mërgimtarë. Por, ata tani po kthehen në Evropë dhe Dibra nga dita në ditë po zbrazet. Pas një jete përplot me dinamikë në ditët në vijim do të kemi një Dibër me pak banorë ashtu siç është edhe në pjesën më të madhe të vitit. Dibra defakto është një qytet sezonal.

Elsa Musai sot u nis për në vendlindjen e saj në SHBA, respektivisht në shtetin e Arizonës. Biseduam para se të niset drejt Shkupit nga ku pati linjë ajrore nga Shkupi për në Vjenë e pastaj për në Nju Jork. “Qëndrova rreth dy muaj në vendlindjen e prindërve të mi. Edhe pse nuk kam lindur në Dibër jam puro dibrane. E dua Dibrën dhe çdo verë ditët i kalojë në vendlindjen e prindërve të mi. Këtë vit në Dibër kishte edhe shumë dibran që jetojnë në kryeqytetin e Arizonës – Feniks ku jetojë edhe unë. Kaluam ditë të bukura, isha në shumë dasma dibrane dhe dhjetë ditë isha në pushim në Durrës. Dibra ishte përplot me banorë lokal por edhe me mërgimtarë. Orët e mbrëmjes i kalonim në objektet shërbyese në bregun e Liqenit, në kafeteri por edhe në Strugë. Do të vij sërish verën e ardhshme”, tha 20 vjeçarja Elsa.

Rrugën e kthimit për në SHBA këto ditë e morën në mënyrë masive mërgimtarët dibran. Agjencitë lokale turistike në Dibër informojnë se këtë verë kanë ardhur nga Amerika afro 3 mijë mërgimtarë. Agjencitë kanë patur shumë punë. Ishte kënaqësi që të punojmë me mërgimtarët, thotë njëri nga pronarët e një agjencie turistike. Ata pushuan kurse ne si agjenci turistike fituam.

Por kthimi masiv këto ditë ndjehet edhe nga ana e mërgimtarëve që jetojnë në shtete të Evropës. Ata kryesisht ishin nga Italia, Zvicra, Austria, Belgjika, Holanda dhe shtete Skandinave. Lulzim Egriu është 60 vjeçar dhe në moshën e tij të re ka lëshuar Dibrës dhe ka migruar në Suedi. Ai jeton në qytetin e Mallës ku poashtu jetojnë edhe shumë shqiptar nga qytete shqiptare nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Lulzimi thotë se në Dibër ka qenë afër një muaj. “Patëm disa gëzime familjare por njëherit bëmë edhe vizita në Kosovë dhe Shqipëri. Takova në Dibrën time edhe shumë shokë të rinisë dhe fëmijërisë që sot jetojnë në Amerikë. Ishte kënaqësi të takohesh me to dhe të kujtosh ditët e kaluara në Dibër. Dibrën për fat të keq e ka kapluar një ikje masive e të rinjve, gjë që flet për një moment teje serioz për këtë qytet historik kombëtar”, thotë Lulzimi dhe shton se të rinjtë janë të detyruar të kapin rrugën e migrimit për shkak të krizës së thellë ekonomike por edhe politike që është prezent në Maqedoninë e Veriut.

Këto ditë është prezent një “lum” i madh i automjeteve dhe i autobusëve të cilët nga Dibra nisen për në Itali. Në këtë shtet jeton dhe punon një numër i madh i diasporës dibrane dhe rrethinës. Të gjithë këta aktivitete që kanë të bëjnë me kthimin e mërgimtarëve qartë tregojnë se shumë shpejt këto ditë Dibra do të boshatiset. Por, e keqja më e madhe është se edhe ata të rinj të cilët aktualisht jetojnë në Dibër dhe rrethinë mendojnë që të nisen për në shtete të Unionit Evropian. Një pjesë e tyre marrin rrugën për të mbijetuar meqë me vite kërkojnë punë, por ka edhe të tillë të cilët nisen për një jetë më të mirë.