Drafti për statusin e minatorit: Çaushi e quan nismën antikushtetuese dhe financiarisht të paqëndrueshme

572

Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, në cilësinë e relatores së projektligjit për statusin e minatorit, u shpreh kundër nismës së propozuar nga opozita, duke argumentuar se drafti cenon parime kushtetuese, krijon mbivendosje me legjislacionin ekzistues dhe nuk garanton siguri juridike për subjektet që preken nga zbatimi i tij.

Gjatë diskutimit në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Çaushi deklaroi se, ndonëse rëndësia e mbështetjes për punonjësit e sektorëve të vështirë, përfshirë minatorët, është e padiskutueshme, çdo ndërhyrje ligjore duhet të jetë e harmonizuar me sistemin aktual juridik dhe të mbështetet në parimet e shtetit të së drejtës. Sipas saj, projektligji krijon një regjim të veçantë për minatorët, duke parashikuar përfitime që tashmë janë të rregulluara nga ligji për sigurimet shoqërore dhe nga një sërë aktesh të tjera ligjore që trajtojnë pensionet e parakohshme, sigurimin e papunësisë dhe shëndetin në punë.

Relatorja theksoi se dispozitat e draftit për paga minimale të dyfishta, pensione suplementare dhe trajtim mjekësor falas mbivendosen me ligjet në fuqi, duke krijuar rrezik për konfuzion në zbatim, interpretime të ndryshme nga institucionet dhe konflikt normash. Sipas saj, kjo situatë cenon parimin e sigurisë juridike dhe parimin e barazisë përpara ligjit, pasi projektligji parashikon trajtim të privilegjuar vetëm për minatorët, pa një analizë krahasuese me kategori të tjera që punojnë në kushte të rënda, si ndërtimtarët apo punonjësit e industrisë së rëndë.

Një tjetër argument i Çaushit ishte ndikimi financiar i projektligjit. Ajo vuri në dukje se drafti parashikon një kosto vjetore prej rreth 1.2 miliardë lekësh për 13,300 përfitues, por pa paraqitur një analizë të detajuar të burimeve të financimit apo garanci për qëndrueshmërinë fiskale. Sipas saj, kjo bie ndesh me kërkesat e Kushtetutës dhe ligjit për menaxhimin financiar publik, të cilat parashikojnë se çdo nismë me ndikim buxhetor duhet të shoqërohet me vlerësim të qartë financiar dhe me dakordësinë e Këshillit të Ministrave.

“Mbivendosja me legjislacionin në fuqi, mungesa e analizës së impaktit financiar dhe krijimi i pasigurisë juridike janë mangësi thelbësore që nuk lejojnë shqyrtimin e mëtejshëm të këtij projektligji në këtë fazë,” u shpreh deputetja socialiste, duke përfunduar se nisma nuk përmbush standardet kushtetuese dhe ligjore për t’u miratuar në parim.

Qëndrimin e relatores e mbështetën edhe përfaqësuesit e ministrive të linjës. Përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi se qeveria shqiptare tashmë ka ndërtuar një skemë të veçantë për minatorët që prej reformës së pensioneve të vitit 2014, e cila u garanton dalje më të hershme në pension dhe përfitime më të larta përmes kontributeve suplementare nga punëmarrësi dhe punëdhënësi. Sipas tij, kjo skemë përputhet me standardet ndërkombëtare të Bashkimit Evropian dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës, duke e bërë të panevojshme krijimin e një statusi të ri ligjor.

Ai shtoi se përfitimet për minatorët plotësohen edhe nga ligje të tjera që rregullojnë sigurinë dhe shëndetin në punë, si dhe trajtimin e veçantë për punën në nëntokë. Në këtë kuadër, qeveria vlerëson se çështja e statusit të minatorit është tashmë e adresuar dhe e rregulluar në mënyrë të mjaftueshme nga legjislacioni ekzistues, madje në nivele më të larta se në disa vende të rajonit.

Një tjetër përfaqësues i ekzekutivit rikujtoi se me ligjin nr. 29/2019 janë përfshirë minatorët, naftëtarët dhe metalurgët në skemën e trajtimit financiar suplementar, e cila parashikon shtesë mujore mbi pensionin bazë sipas viteve të punës. Sipas tij, projektligji i propozuar nga opozita bie ndesh me këtë kuadër ligjor dhe krijon mbivendosje të panevojshme, duke rrezikuar destabilizimin e skemës aktuale të sigurimeve shoqërore.