Dibra dhe Kukësi me normat më të larta të varfërisë në vend

431
Qyteti i Peshkopisë. Foto: Këtu Mblidhen Dibranët, FB

Qarqet e Veriut, Dibra dhe Kukësi të cilat kanë normat më të larta të varfërisë në vend, po varfërohen edhe më tej.

Sipas të dhënave të INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi rënie në Dibër në terma realë prej 2,89%, ndërsa ekonomia e Kukësit shënoi rënie me 2,80%. Qarku i tretë më rënie ekonomike ishte ai i Beratit, ekonomia e të cilit ra me 2,06% me 2019, krahasuar me vitin 2018.

PBB me çmime korente në rajonin Veri ishte 389,6 miliardë Lekë ose 23,03% ndaj totalit të vendit. Krahasuar me vitin 2018, në rajonin Veri, PBB në terma reale shënoi një rritje me 2,16%.

PBB me çmime korente në rajonin Qendër, ishte 835,1 miliardë Lekë ose 49,36% ndaj totalit të PBB-së. Krahasuar me vitin 2018, për rajonin Qendër, PBB në terma reale shënoi një rritje prej 2,28%.

PBB me çmime korente në rajonin Jug ishte 467,1 miliardë Lekë ose 27,61% ndaj totalit të vendit. Krahasuar me vitin 2018, në rajonin Jug, PBB në terma reale shënoi një rritje me 1,78%.

Sipas rajoneve statistikore në nivel 3 (Qark), rritjen reale më të lartë e shënoi Qarku Durrës me një rritje në terma realë prej 4,37%, i ndjekur nga Qarku Gjirokastër me një rritje reale prej 3,99% dhe Qarku Fier me një rritje në terma realë prej 3,26% të PBB-së për vitin 2019, krahasuar me vitin 2018.

PBB për frymë, më e larta në Tiranë, më ulëta në Kukës

PBB për frymë sipas niveleve statistikore Në vitin 2019, niveli i PBB-së për frymë në rajonin statistikor nivel 1 (Republika e Shqipërisë), arriti në 593 mijë Lekë. Krahasuar me vitin 2018 PBB për frymë në terma nominale u rrit me 3,80%.

Në vitin 2019, sipas rajoneve statistikore në nivel 2, në rajonin statistikor Veri, PBB për frymë është 481 mijë Lekë, duke shënuar një rritje nominale me 4,29%, krahasuar me vitin 2018. PBB për frymë e këtij rajoni është 18,78% nën mesataren e vendit.

Në rajonin statistikor Qendër, PBB për frymë është 712 mijë Lekë dhe pati një rritje nominale me 2,84%, krahasuar me vitin 2018. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi 20,10% mbi mesataren e vendit.

Në rajonin statistikor Jug, PBB për frymë është 536 mijë Lekë, duke shënuar një rritje nominale me 4,60%, krahasuar me vitin 2018. PBB për frymë e këtij rajoni është 9,61% nën mesataren e vendit.

Niveli më i lartë i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel 3 (Qark), në vitin 2019, ishte në Qarkun Tiranë, me 802 mijë Lekë dhe shënoi një rritje në terma nominale prej 2,42%, krahasuar me vitin 2018. PBB për frymë e këtij qarku ishte 35,38% mbi mesataren e vendit.

Më pas renditet Qarku Fier, me 641 mijë Lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale prej 6,49 % ndaj vitit 2019. PBB për frymë e këtij qarku ishte 8,11% mbi mesataren e vendit.

Niveli më i ulët i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel 3 (Qark) në vitin 2019, u vlerësua në Qarkun Kukës me rreth 359 mijë Lekë duke shënuar një rënie në terma nominale me 0,94%, krahasuar me vitin 2018. PBB për frymë e këtij qarku ishte 39,36% nën mesataren e vendit. Më tej, me PBB-në për frymë më të ulët vijon Qarku Elbasan me rreth 412 mijë Lekë duke shënuar një rritje në terma nominale 3,40% ndaj vitit 2018. PBB për frymë e këtij qarku ishte 30,43% nën mesataren e vendit.

Veriu më i varfër në Europë, konsumon sa 25% e mesatares së BE-së

Standardi i Fuqisë Blerëse PBB e Republikës së Shqipërisë e shprehur në Standardin e Fuqisë Blerëse (Purchasing Poëer Standard – PPS) në vitin 2019 për Shqipërinë është 30,7% e mesatares së Bashkimit Evropian. Sipas rajoneve statistikore në nivel 2, në rajonin Qendër, PBB për frymë në PPS për vitin 2019 ishte 36,9%, në rajonin Veri 24,9% dhe në rajonin Jug 27,8%.

Në vitin 2019, sipas rajoneve statistikore në nivel 1 (Republika e Shqipërisë), PBB me çmime korente u vlerësua 1.691.729 milionë Lekë, duke shënuar një rritje në terma realë prej rreth 2,11%, krahasuar me vitin 2018.

Kontributin më të madh në rritjen ekonomike për vitin 2019, e ka dhënë Qarku Tiranë me +1,06 pikë përqindje, pasuar nga Qarku Durrës me +0,43 pikë përqindje dhe Qarku Fier me +0,36 pikë përqindje.

Kontributin më të ulët në rritjen ekonomike e ka dhënë Qarku Dibër me -0,09 pikë përqindje, i pasuar nga Qarku Berat me një kontribut prej -0,07 pikë përqindje dhe Qarku Kukës me një kontribut prej -0,05 pikë përqindje.