
Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Bulqizës, e planifikuar për këtë të martë, ka dështuar të zhvillohet për shkak të mungesës së kuorumit, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 10 nga 21 anëtarët që ka në total këshilli.
Në përfundim të seancës, kryetari i Këshillit Bashkiak, Arben Çupi, fajësoi përfaqësuesit e opozitës për mosrealizimin e mbledhjes. Sipas tij, ata fillimisht ishin të pranishëm, por më pas u larguan nga salla, duke bërë të pamundur sigurimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vijimin e punimeve.
Megjithatë, problematika e mungesës së pjesëmarrjes në këshill nuk është e re. Prej disa muajsh, pavarësisht se Partia Socialiste disponon shumicën me 9 mandate në Këshillin Bashkiak të Bulqizës, vetëm një pjesë e këshilltarëve të saj kanë marrë pjesë rregullisht në mbledhje. Në shumë raste, kuorumi është siguruar falë votave dhe pranisë së anëtarëve të partive të tjera, të cilat kanë nga një përfaqësues në këshill dhe që prej zgjedhjeve vendore të vitit 2023 janë rreshtuar pothuajse në të njëjtën linjë me shumicën socialiste dhe vendimmarrjen e propozuar nga kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri.
Përveç mungesës së pjesëmarrjes në seancat, Këshilli Bashkiak përballet edhe me vështirësi në funksionimin e komisioneve të përhershme. Këto struktura, të cilat kanë detyrë shqyrtimin paraprak të projektvendimeve përpara kalimit të tyre në seancë, nuk janë mbledhur rregullisht, duke sjellë vonesa në procesin vendimmarrës.
Në rendin e ditës së mbledhjes së së martës ishin parashikuar për shqyrtim dhe miratim 11 pika, mes të cilave Programi Buxhetor Afatmesëm 2027-2029, raporti i monitorimit të buxhetit për periudhën janar-prill 2026, përdorimi i fondit shtesë për ndihmën ekonomike për muajin maj, si dhe disa projektvendime për dhënie ndihme financiare për qytetarë në nevojë.
Po ashtu, në rend dite ishin përfshirë edhe dy projektvendime që lidhen me dhënien në përdorim dhe marrjen me qira të sipërfaqeve nga fondi pyjor dhe kullosor, për qëllime të depozitimit të sterileve të kromit sipas dy lejeve minerare ekzistuese.
Pas dështimit të mbledhjes, është njoftuar se seanca e radhës do të zhvillohet ditën e enjte, më 2 korrik 2026, ku pritet të rikthehen për shqyrtim të njëjtat projektvendime të mbetura pezull.









