Pamjet që pashë sot në mëngjes nga protesta e fëmijëve, grave, djemve dhe burrave të fshatit të Kërçishtit i Epërm dhe sjellja brutale e policisë, krejtësisht e panevojshme – sipas meje, më lanë një shije shumë të keqe. Mënyra se si policia i nxirrte njerëzit nga turma dhe i tërhiqte zvarrë për te furgoni, ishte e tejkaluar.
Përtej argumenteve se kush ka të drejtë, mendoj se banorët duhet të jenë në qendër të vëmendjes. Aq më tepër që ata po protestojnë në fshatin e tyre, në pragun e shtëpive të tyre.
Ky shkrim nuk ka për qëllim të tregojë se kush ka të drejtë, por me pamjet që pashë, mendoj se ka hapësira për të qetësuar situatën dhe për të bërë më të mirën, jo vetëm për banorët e Kërçishtit, por për të gjitha Maqellarën.
Së pari, Kryetari i Bashkisë së Dibrës, z. Rahim Spahiu, duhet të pezullojë menjëherë punimet për ujësjellësin e ri të Maqellarës. Duke njohur sadopak sjelljen e tij publike deri më tani, mendoj se ai duhet ta bëjë këtë.
Së dyti, policia duhet të lirojë menjëherë të ndaluari, ti çlirojë ata nga çdo akuzë dhe të kërkojë ndjesë për sjelljen e tepruar.
Së treti, Kryetari i Bashkisë dhe institucionet në varësi të tij duhet të fillojnë urgjentisht një konsultim me banorët, një informim të tyre, me praninë e mediave, për të garantuar çdo banorë të Kërçishtit dhe fshatrave përreth, se nuk do të cënohen aspak nga burimet ujore që ata përdorin deri më tani. Duhet të tregojnë të dhënat e burimeve ujore, prurjet stinore dhe vjetore, për të treguar se projekti është bazuar mbi një realitet konkret, dhe në përputhje me standardet mjedisore. Nëse banorëve u merret uji që përdorin për vaditje, për të dërguar diku tjetër si ujë të pijshëm, duhet tu garantohet atyre uji për vaditje përpara se të fillojnë punimet për ndërtimin e ujësjellësit.
Gjithashtu, banorët duhet të ndërgjegjësohen se çdo pikë ujë i pijshëm nuk duhet të shpërdorohet, por duhet të shkojë në ndihmë të komuniteteve rreth e rrotull tyre. Burimet që vijnë nga mali janë edhe për fshatrat e tjera rreth e rrotull Kërçishtit.
Çdo zgjidhje me dhunë, më forcë, me arbitraritet dhe forcën e pushtetit, nuk i shërben harmonisë dhe bashkëjetesës në komunitet. Zgjidhja me polici do të fusë konfliktin mes fshatrave në një kohë të gjatë, me shumë pasoja për të gjithë.
Sikur asnjë nga këto që shkrova më sipër të mos ndodhë, të zgjedhurit vendore e kanë për detyrë morale të zbatojnë “këshillën” e kryeministrit gjatë fushatës së “Falenderimeve”, pas zgjedhjeve vendore: Dëgjojini njerëzit, edhe kur ata nuk kanë të drejtë!
https://youtu.be/hF-bMApOm6w