“Dëgjesat publike” nga Bashkia Bulqizë, mision i pamundur

491

VËZHGIM/

Të flasësh për dëgjesa publike në Bashkinë Bulqizë është sikur të kërkosh gjilpërën në kashtë. Shumë projekte apo investime që janë ndërmarrë në territorin e Bashkisë Bulqizë asnjëherë nuk janë konsultuar me qytetarët, ashtu siç mund të ketë ndodhur në shumë bashki të tjera të vendit, kryesisht për plan – buxhetin apo projekte të ndryshme që ndërmerren. Edhe pse kjo një detyrim që e garanton edhe ligji.

Për këtë, bulqizaime.al ju drejtua edhe bashkisë Bulqizë për të mësuar nëse ka realizuar dëgjesa publike me qytetarët dhe se kur ka qenë hera e fundit që e ka realizuar një të tillë!?

Në përgjigjen e saj bashkia deklaron se ka realizuar disa herë dëgjesa publike me qytetarët, në ato rastet kur janë prekur nga projektet apo investimet e bashkisë.

Por që faktet janë kundra asaj se çfarë thotë bashkia, pasi në projektet që ka realizuar asnjëherë nuk është marrë mendimi i qytetarëve. Rasti më i freskët është ai i ndërtimit të pedonales që nuk ka pasur asnjë dëgjesë të bashkisë realizuar me qytetarët apo bizneset që operonin përgjatë saj.

Madje nga burime të bulqizaime.al mësohet se bashkia Bulqizë nuk ka mbledhur asnjëherë as komisionet e Këshillit të Bashkisë Bulqizë, për fushat që ata mbulojnë.

Një pikë tjetër e diskutueshme është edhe miratimi i plan – buxhetit që bëhet në fillim të vitit. Faktet flasin se çdo vit, në miratimin e buxhetit, qytetarët nuk janë thirrur në asnjë dëgjesë publike për të mësuar se si do të bëhej shpërndarja e tij apo nëse qytetarët kishin ndonjë propozim.

Por, bashkia Bulqizë duke ju përgjigjur kërkesës së bulqizaime.al për këtë temë, deklaron se në kuadër të plan – buxhetit të vitit 2017 ka zhvilluar dëgjesa publike në të gjitha njësitë administrative dhe në qytet. Sipas saj, në këto dëgjesa ka marrë pjesë vetë kryetari i bashkisë, Z. Melaim Damzi dhe zyrtarë të tjerë.

Por sërish faktet flasin të kundërtën e asaj se çfarë bashkia deklaron. Qytetarët kanë mungesë të theksuar informacioni përsa i përket miratimit të buxhetit dhe zërave të shpenzimeve që janë përfshirë në të.

Pak muaj më parë, ishull.com bëri një pyetësor mbi transparencën dhe ofrimin e informacionit në bashkinë Bulqizë, ku nga rezultatet e këtij pyetësori ishin një tregues se kësaj bashkie i duhet më shumë transparencë, dhe informimin e qytetarëve për punën e saj.

Qytetarët e Bulqizës vazhdojnë të kenë mungesë të theksuar informacioni për vendimet që merr bashkia. Kështu që, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të qeshim me këtë shakanë e ‘dëgjesave publike’ që bashkia ka zhvilluar!

/bulqizaime.al/