Dëgjesa publike në Gjoricë dhe Lejçan për dhënien në përdorim të tokave

526
Fshatrat e Njësisë Administrative Gjoricë.

Këshilli Bashkiak Bulqizë ka njoftuar zhvillimin e dy dëgjesave publike për procesin e “dhënies në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore” përmes ankandit. Sipas njoftimit, dëgjesa e parë do të mbahet më 17 mars 2026, ora 16:00, në Gjoricë e Poshtme, ndërsa dëgjesa e dytë më 18 mars 2026, ora 16:00, në Lejçan, Njësia Administrative Ostren. Në këto takime janë ftuar të marrin pjesë banorët, bizneset dhe grupet e interesit që preken nga ky proces.

Ky proces rregullohet kryesisht nga ligji “Për vetëqeverisjen vendore”, që detyron bashkitë të konsultohen me qytetarët për vendime që prekin interesin publik, dhe ligjit “Për pyjet”, i cili përcakton mënyrën e administrimit dhe përdorimit të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore. Procedurat specifike të ankandit publik përcaktohen edhe nga VKM nr. 468, sipas të cilës dhënia në përdorim e pyjeve dhe kullotave duhet të bëhet me transparencë, duke garantuar pjesëmarrjen e komunitetit dhe respektimin e parimeve të mbrojtjes së mjedisit.

Sipas ligjit, njoftimi për dëgjesën publike duhet të bëhet të paktën 10 deri në 20 ditë pune para zhvillimit të saj dhe nuk mjafton vetëm publikimi në rrjetet sociale. Bashkia duhet të sigurojë që njoftimi të afishohet në vendet publike të njësive administrative, në faqen zyrtare të bashkisë dhe, aty ku është e mundur, edhe në media lokale. Përveç kësaj, banorët duhet të kenë në dispozicion paraprakisht projekt-vendimin dhe hartat e sipërfaqeve që do të jepen me ankand, për të njohur saktësisht zonat që do të diskutohen.

Këto ankande për dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore pritet kryesisht të lidhen me zhvillimin e projekteve për parqe fotovoltaike në zonat përkatëse. Në të kaluarën, disa projekte të tilla janë përfolur për Gjoricën dhe Ostrenin, ndërsa disa prej tyre aktualisht ndodhen në proces aplikimi për leje ndërtimi.

Dhënia në përdorim e sipërfaqeve pyjore dhe kullosore realizohet përmes ankandit, ku prioritet kanë banorët dhe fermerët lokalë të zonës. Ankandi nuk vlerësohet vetëm sipas ofertës financiare, por edhe sipas planit të menaxhimit, që përcakton mënyrën e mbrojtjes dhe shfrytëzimit të sipërfaqes pa dëmtuar mjedisin. Banorët dhe grupet e interesit kanë të drejtë të ankimojnë procesin nëse konstatojnë se zona e planifikuar prek prona private, rrugët e kalimit të bagëtive apo burime uji.

Bashkia Bulqizë nuk ka dhënë një informacion publik për hartat konkrete të parcelave që do të jepen në përdorim, afatet e kontratave, kriteret e ankandit, përparësia për fermerët vendas dhe detyrimet e fituesit ndaj komunitetit dhe mjedisit. Këto dëgjesa konsiderohen një hap i domosdoshëm ligjor përpara vendimmarrjes përfundimtare të Këshillit Bashkiak për dhënien në përdorim të pyjeve dhe kullotave në zonat e Gjoricës dhe Ostrenit.