Dëbora lë pa energji elektrike shumë fshatra në Bulqizë e Dibër

1333
Dëmtimi i një shtylle të energjisë elektrike. Foto: OSHEE rajoni Burrel

Disa fshatra në Bulqizë janë izoluar pas reshjeve të dëborës në fundjavë, ndërsa mijëra banorë janë pa energji elektrike prej tre ditësh, si pasojë e defekteve.

Situata më problematike paraqitet në njësitë administrative Trebisht dhe Ostren, të bashkisë Bulqizë, ku në të gjithë fshatrat ka mungesë energjie. Nga të dhënat e mbledhura nga administratorët e njësive administrative në bashkinë Bulqizë, bëhet me dije se një pjesë e linjave janë këputur dhe janë rrëzuar shtyllat.

Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu u shpreh për Bulqizaime.al se deri më tani ka probleme në furnizimin me energji në disa njësi administrative.”Kala e Dodës, Sllovë, Fushë-Çidhën, Selishtë, Lurë, Reç e Muhurr të Bashkisë Dibër për shkak të dëmtimit të 3 fidrave dhe disa shtyllave. Gjithashtu në njësitë administrative Trebishtë, Ostren, Gjoricë, e pjesërisht në njësinë administrative Shupenzë.” u shpreh Shehu.

Të kontaktuar me telefon, banorë të fshatrave Dushaj dhe Koçaj në njësinë administrative Fushë-Bulqizë i thanë Bulqizaime.al se janë në ditën e tretë pa energji elektrike. Ndërsa në fshatin Valikardhë të njësisë administrative Zerqan, banorët janë organizuar vetë për riparimin e dëmtimeve të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike.

Situata problematike parqitet edhe në njësinë administrative Gjoricë, ku thuajse në gjysmën e fshatrave ka probleme me furnizimin me energji elektrike. Në njësisë administrative Zerqan, në pesë fshatra ka mungesë energjie. Në njësinë administrative Shupenzë, gjysma e fshatrave nuk furnizohen me energji.

Punonjësit e OSHEE teksa rregullojnë rrjetin e dëmtuar në Shupenzë. Foto: Bulqizaime.al

Nga OSHEE rajoni Burrel i thanë Bulqizaime.al se dëmtimet e rrjetit shpërndarës janë të shumta dhe se po punohet me grupet e punës në terren për rikthimin e energjisë elektrike.

Temperaturat e ulëta dhe era e fortë me reshje dëbore që ka përfshirë Dibrën që prej mbrëmjes të së shtunës, ka krijuar probleme të shumta në fshatra, ku dhjetëra rrugë janë të bllokuara.

Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu u shpreh për Bulqizaime.al se deri më tani rrugët nacionale janë të hapura, ndërsa disa akse rurale në Bashkinë Dibër dhe Bulqizë vazhdojnë që të jenë të bllokuara. “Janë të bllokuara njësitë Selishtë e Lurë të bashkisë Dibër. Janë të bllokuara rrugët e fshatrave me qendrat administrative të njësive: Kala e Dodës, Zalldardhë, Reç, Muhurr, Fushë-Çidhën të bashkisë Dibër. Gjithashtu njësitë administrative Trebisht, Ostren, Martanesh, Fushë-Bulqizë, Zerqan të bashkisë Bulqizë, si dhe rrugët e fshatrave të njësisë Xibër të bashkisë Klos.” u shpreh Shehu.

Deri më sot nuk raportohet për emergjenca shëndetësore.