Ulja e temperaturave ka shkaktuar reshje të borës që nga mëngjesi i së shtunës në gjithë qarkun e Dibrës, duke sjellë bllokim rrugësh dhe disa zona janë pa energji elektrike. Prej mesditës, qindra udhëtarë nisur nga Tirana për në drejtim të Dibrës dhe anasjelltas, janë bllokuar në qafën e Murrizit, në bypass-in e rrugës së Arbrit. Shkak i kësaj është mos pastrimi i rrugës në kohë, por edhe drejtuesit e automjeteve që udhëtonin pa goma dimërore dhe zinxhir.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një video të postuar në rrjetin e saj social Facebook në zonën e Xibrit, kërkoi nga qytetarët që të shmangin lëvizjet e panevojshme. Megjithatë, ajo nuk e përmendi se bllokimi përkon me rrugën e Arbrit, një investim i cili është prezantuar nga kryeministri Edi Rama si një premtim elektoral për zonën e Dibrës që prej vitit 2013. Rruga është inauguruar disa herë me daulle dhe valle, duke u premtuar se bashkë me tunelin e Murrizit do të dorëzohej në prill 2022. Megjithatë, ky segment ka probleme të vazhdueshme sa herë ka reshje bore, duke shkaktuar bllokime dhe ndalim të qarkullimit. Problemet e hasura me hapjen e këtij tuneli janë përdorur si justifikim i ministrisë për zgjatjen e kësaj kontrate 2 herë me 37 muaj në total.
“Sipas të dhënave nga Autoriteti i Avioacinit Civil, kjo stuhi pritet të vazhdojë për disa orë dhe më pas do të kemi mundësi të punojmë për pastrimin e borës. Në Shkallët e Tujanit, rruga është momentalisht e bllokuar. Ka 24 fiderë me avari dhe presim një ulje të stuhisë, pasi nuk mund të rrezikojmë jetën e punonjësve, por do të punojmë për rikthimin e energjisë. Qytetarët duhet të tregojnë kujdes,” tha Balluku.
Nga orët e vona të së shtunës, qyteti i Bulqizës dhe rrethinat janë pa energji elektrike. E njëjta situatë është edhe në Peshkopi. Problematike paraqitet situata për qarkullimin e automjeteve edhe në qytet, ku rrugët një pjesë janë të pa pastruara dhe të pa kriposura.