CEZ, qeveria i fal edhe 50 milionë euro taksa të vitit 2012-2013

253

Afera CEZ thellohet edhe më shumë. Pas firmosjes së marrëveshjes me mirëkuptim, e cila sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit i shkaktoi shtetit shqiptar një dëm 480 milionë euro, qeveria i ka bërë një tjetër dhuratë kompanisë çeke.

Në ligjin për faljen e borxheve, është përfshirë pa shumë zhurmë edhe një nen i cili fal taksat e papaguara të kompanisë CEZ gjatë periudhës janar 2011 deri në dhjetor 2013.

“Fshihen detyrimet tatimore të papaguara sipas përcaktimit në pikën 1 të nenit 2 të këtij ligji, me përjashtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të shoqërive që punojnë në sektorin elektro-energjitik dhe janë 100 për 100 me kapital shtetëror dhe që i përkasin periudhës tatimore 1/1/2011 deri në 31/12/2013,”- shkruhet në nenin 8 të projektligjit që u miratua një ditë më parë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Miliona euro të falura

Burime nga Komisioni i Ekonomisë thanë për SYRI.net se në total janë mbi 8 miliardë lekë ose rreth 65 milionë euro taksa që falen për tre kompanitë publike të energjisë. Por pjesën dërrmuese të kësaj falje, rreth 50 milionë dollarë e përbëjnë taksat dhe gjobat e kompanisë CEZ, detyrime të lindura në vitet 2011-2013.

Në atë kohë, kompania çeke ngriti në Shqipëri një rrjet kompanish satelite duke u përfshirë në transaksione të dyshimta financiare, për të shmangur taksat. Kjo solli përplasje me autoritetet tatimore, të cilat e penalizuan disa herë kompaninë për veprimtari të dyshimta financiare. Por tashmë të gjitha këto detyrime shuhen.

Afera CEZ

Në fund të vitit 2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit, kallëzoi penalisht ministrin e energjisë Damian Gjinuri dhe Avokaten e Shtetit Alma Hicka, si dy aktorët kryesorë, që hartuan marrëveshjen e zgjidhjes me mirëkuptim të konfliktit me CEZ.

“Referuar përmbajtjes së Marrëveshjes për Zgjidhjen me Mirëkuptim, të nënshkruar më datë 23.06.2014, nga Grupi i Punës i kryesuar nga Ministri Gjiknuri, evidentohen fare qartë elementët e një marrëveshjeje tërësisht të pabarabartë dhe jo në proporcion me pretendimet e deriatëhershme të Shtetit Shqiptar ndaj CEZ a.s, duke shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 479 milionë euro”,- denoncoi KLSH.

Afera CEZ është denoncuar ashpër nga Opozita, menjëherë pasi qeveria nënshkroi marrëveshjen e mirëkuptimit, në të cilin Shqipëria mori përsipër të paguajë 95 milionë euro për të rimarrë kompaninë në administrim shtetërore, ndërkohë që kompanisë çeke ju falën qindra milionë euro detyrime financiare të papaguara.

SYRI.net