Bulqizë/ Makina shpërthen në flakë, digjet drejtuesi (Foto)

498

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të premteje në aksin nacional Bulqizë-Klos, ku një makinë ka marrë flakë në ecje e sipër dhe për rrjedhojë ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i saj. 

Episodi është verifikuar rreth orës 21:30 në vendin e njohur si Qafa e Buallit, kur shtetasi Shkëlqim Çela ka qenë duke udhëtuar nga qyteti i Peshkopisë në Fushë Krujë me automjetin e tij tip “Ford” me targë “AA 779 AJ”.

Papritur mjeti ka marrë flakë dhe Çela, 42 vjeç, është përpjekur ta shuajë, por zjarri ka përfshirë rrobat e tij duke i shkaktuar djegie të rënda në trup.

Trupi i tij është gjetur nga shoferët e linjës Tiranë-Peshkopi disa metra larg makinës që digjej dhe është dërguar në spitalin e qytetit.

Në Bulqizë atij i është dhënë ndihma e parë nga bluzat e bardha, të cilat kanë deklaruar se 42-vjeçari ka marrë djegie në 70 për qind të sipërfaqes trupore dhe është dërguar për mjekim të specializuar drejt Tiranës.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë së Matit, si dhe oficerë të policisë gjyqësore, të cilët kanë nisur një hetim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. 

/bulqizaime.al/