Bulqizë/ Çertifikohen një grup studentësh në programin e nxitjes së punësimit

304
Në foto: Studentët që janë çertifikuar (Foto nga Zyra e Punës Bulqizë)

Një grup studentësh të cilët kanë përfunduar studimet universitare janë çertifikuar nga Zyra e Punës në Bulqizë, kjo në kuadër të programit për nxitjen e punësimit.

Praktika profesionale ka zgjatur për tre muaj dhe studentët e kanë kryer atë në disa prej institucioneve publike në Bulqizë, duke ju përshtatur degës për të cilën kanë mbaruar studimet, si Zyra e Punës, Bashkia Bulqizë, Zyra Arsimore, Drejtoria e Shëndetit Publik etj.

Siç bëhet me dije nga Zyra e Punës, studentët të cilët kryejnë këtë praktikë profesionale në fund paisen me një çertifikatë.

Aktualisht janë edhe 10 studentë të tjerë, që po kryejnë praktikën profesionale.

Programi për nxitjen e punësimit, është programi i cili nëpërmjet sigurimit të punësimit të përkohshëm apo afatgjatë, ndikon në kërkesën për punë, duke reflektuar drejtpërsëdrejti në uljen e papunësise.

Përmes këtij programi, Zyrat e Punësimit ndërhyjnë për të nxitur dhe mbështetur krijimin e vendeve të reja të punës, duke bashkëpunuar me punëdhënësit edhe nëpërmjet subvencionimit të tyre.

Këto programe janë në kuadrin e politikave qeveritare të fokusuara në uljen e papunësisë, ku për vitin 2016-të është akorduar një fond prej 490 milionë lekë në të gjithë Shqipërinë.

/bulqizaime.al/