Bulqizë, aksident në galeritë e kromit, vritet minatori 52-vjeçar

7175
Miniera e Bulqizës. Foto: Bulqizaime.al

Një minator humbi jetën të hënën pasdite, në një prej galerive të nxjerrjes së kromit në zonën e Bulqizës.

Policia lokale njoftoi se “Në një subjekt minerar në Bulqizë, dyshohet se gjatë punës, është aksidentuar shtetasi K.L., 52 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën”. Policia nuk e bëri me dije emrin e subjektit ku kishte ndodhur aksidenti. Bulqizaime.al mësoi se ngjarja kishte ndodhur në zonën e parë të minierës në një galeri me numrin 16-të në pronësi të kompanisë “Canameti Sh.P.K”.

Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, por burime të Bulqizaime.al thonë se shkak i ngjarjes ishte shpërthimi i vonuar i eksplozivit të përdorur në galeri. Viktima me banim në Klos punonte si zjarrmëtar dhe se ishte aksidentuar gjatë kontrollit të eksplozivit të pa shpërthyer.

Ky është aksidenti i katërt me pasojë vdekjen në miniera gjatë këtij viti, ku aksidenti i fundit me pasojë vdekjen u shënua në Bulqizë në muajin korrik.