Bulqiza pa ekip futbolli, Mane tërheq financimin

663

Pak ditë më parë në media qarkulloi lajmi se biznesmeni Samir Mane, kompania e të cilit ka nën administrim Minierën e Bulqizës do të mbështeste klubin e futbollit të këtij qyteti.

Gjithashtu në lajmin që qarkulloi bëhej me dije se kompania BALFIN do të investonte edhe në terrenet sportive në Bulqizë, duke ngjallur shpresën tek sportdashësit e këtij qyteti se më në fund do konkuronim denjësisht në kompeticionet sportive.

Kompania koncensionare ACR që operon në zonë  e Bulqizës, kishte premtuar se brenda janarit ekipi do të regjistrohej në Federatën Shqiptare të Futbollit. Kjo nuk ndodhi, por edhe financimi ndaj FK Bulqiza nuk do të bëhet, duke e lënë qytetin e Bulqizës, sërish pa një ekip.

Bulqiza ime ka mësuar se Mane ka dekluar se kishte pasur dëshirë që të investonte, por ishte tërhequr nga ky investim, për arsye të cilat nuk dëshironte ti bënte publike. Një tërheqje e tillë i është komunikuar me email edhe FK Bulqiza.

Krijuar që prej vitit 1964, ekipi i Bulqizës është mbajtur në këmbë vetëm nga dëshira e pasioni i disa të rinjëve për futbollin dhe me mbështjen financiare të biznesmenit Shkëlqim Llagaçi.

Një tërheqje e tillë i ka gjetur të pa përgatitur përfaqësuesit e ekipit, të cilët shprehen për Bulqiza ime se nuk disponojnë as edhe shumën e parave që duhen për t’u regjistruar në Federatën Shqiptare të Futbollit, që të marrin pjesë në kategorinë e tretë.

Kompania BALFIN mësohet se do të investojë vetëm në terrenet sportive, kjo me bashkëfinancim me bashkinë.

Autoritetin kontrrollues dhe financues ndaj sportit e ka pushteti vendor, por që bashkia Bulqizë deri më sot nuk ka hedhur as edhe një qindarkë për ekipin.

Pak ditë më parë në një sondazh të Bulqiza ime në lidhje me lajmin se Mane do të investonte në ekipin e futbollit, shumica e atyre të cilët u përgjigjën, u shprehën se një gjë e tillë është mëse e realizueshme, por me sa duket ëndrra zgjati vetëm pak ditë.

/bulqizaime.al/