Bulqiza në vitin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

1186
Në foto: Përmendorja e Skënderbeut, vendosur në Fushën e Vajkalit. Burimi: Studio Karaj

Nga Bashkim Lami*

Në vitin 2018 kemi dy data shumë të rëndësishme historike për popullin shqiptar. Më 17 janar është 550 vjetori i vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti –Skëndërbeu, gjithashtu edhe më 10 qershor është 140 vjetori i Themelimit të Lidhjes kombëtare të Prizrenit.

Në Shqipëri, Skënderbeu është një legjendë, imazhi i vërtetë i një heroi, një gjysëmperëndie që gjithmonë ndodhej në vijën e parë të luftës, që kurrë nuk ngurroi të sakrifikonte jetën e tij për idealet e tij, për ato që ai besonte, për Atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij. Sot në Shqipëri i kujtimi i tij është mjaft i gjallë, dhe kështu në nder të tij, që nga dita kur ai vdiq, mbiemri i tij u kthye ne emër nderi për djemtë. Dhe kështu njerëzit emërojnë fëmijët e tyre, në mënyrë që këta fëmijë t’i ngjajnë këtij Heroi. Për këtë në Shqipëri është një nder të quhet dikush Kastriot, por edhe një përgjegjsi e madhe që të mund ta nderojë dikush këtë emër në çdo moment.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi Kombëtar i Shqipërisë vulosi me veprat e tij rezistencën kundër turqve pushtues i në shekullin e XV dhe ishte një shembull i veçantë për tu ndjekur për të gjithë heronjtë e mëvonshëm. Mbeti në histori si luftëtar e si gjeneral dhe njeri me principe e ideale kombëtare. Gjergj Kastrioti ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij. U njoh si komandant i të gjitha fiseve Shqiptare dhe mbrojtës i Kristianizmit. Arriti të ndalonte për 25 vite me rradhë pushtimin e Shqipërisë nga Turqia duke organizuar qëndresën e shqiptarëve me strategji që edhe sot ka zënë vend në artin ushtarak. Me luftën e tij heroike arriti të fitonte admirimin e të gjithë Europës Kristiane dhe u bë personazh i admiruar i shumë shkrimtarëve të njohur në Europë.
Edmond Spenser, poet anglez, në veprën e botuar për Skënderbeun, në 1596 pati shkruar:

“Pse mburret koha e lashtë kaq fort
Me monumentet e moçëm të zotërve të fuqishëm,
Të herojve, që me veprat pa mort mahnitën botën…
I madh me emër në forcë e në vetitë,
Vend i triumfit atij i përshtatet».

Memoriali “Gurët e Skënderbeut”
Sot populli i Bulqizës me krenari të ligjshme krah popullit dibran ruan në memorje historinë e lavdishme të betejave të Skënderbeut në Vajkal të Bulqizës në prill dhe në gusht të vitit 1465, ku Skënderbeu përballoi me sukses dy beteja me ushtritë turke, të cilat i fitoi edhe pse pati humbje të mëdha. Gjaku i derdhur në fushën e Vajkalit mbeti për bulqizakët i paharruar brez pas brezi me toponimet si “Gurra e Kuqe”; “Gurët e Skënderbeut”; Shkëmbi i Skënderbeut”; “Fusha e Kalasë”; “Ura e Qitetit”, etj.

Bulqizakët krenohen me historinë e të parëve që pasqyrohet në gojëdhëna dhe arkiva dhe sot në “Vitin e Skënderbeut” në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeut kemi memorialin “Gurët e Skënderbeut” në anën e fushës ku u zhvilluan betejat e paharruara të vitit 1465, falë iniciativës së djemve bulqizakë që mbështetën skulptorin e ri Etmond Balja në realizimin e memorialit që u vendos në anë të fushës së Vajkalit për të materializuar toponimin “Gurët e Skënderbeut” e ruajtur në memorjen e popullit ndër shekuj.

Madhështia e Heroit, qëndron aty për njerëzit që e kanë idhull si strateg, si luftëtar dhe udhëheqës në 25 vite, duke mbetur i pavdekshëm për ne shqiptarët, por edhe për europianët, që gjithashtu i kanë vendosur përmendoret në kujtim të tij në disa kryeqytete si në Romë; Paris; Londër, etj. Shumë rrugë e sheshe në qytete të Europës dhe të Botës mbajnë emrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Skëndërbeu shënoi ardhmërinë tonë si komb
Kryeministri Rama në qytetin e Vlorës, në festimet e 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë tha se viti 2018 do të shpallet “Viti i Skënderbeut”, gjithashtu ka shpallur dhe logon e vitit të Skëndërbeut. Kryeministri u shpreh se, kjo është një ditë e shënuar dhe Skëndërbeu është figurë që shënoi ardhmërinë tonë si komb. Pritet që të shpallet një program kombëtar i zhvillimit të aktiviteteve në mbarë vendin dhe në diasporë. Shpallja e vitit 2018 si vit i Heroit Kombëtar tani është nën patronazhin e dy presidentëve, Meta e Thaçi si dhe e dy kryeministrave, Rama e Haradinaj.

Gjithashtu Banka Kombëtare e Shqipërisë në vitin e Skënderbeut do të emetojë një seri me tre monedha të reja përkujtimore me tematikë “550 vjet in memoriam Gjergj-Kastrioti Skënderbeu (1468-2018)”, në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeut,

Shoqata Atdhetare Kulturore Bulqiza po ndjek me vemendje gjithçka po organizohet dhe anëtarët e saj do të jenë pjesmarrës aktivë në Tiranë e kudo ku shqiptarët do të kenë aktivitete në këtë përvjetor historik.

I gjithë populli i Bulqizës po presim me shumë interes që z.Melaim Damzi, Kryetar i Bashkisë Bulqizë, të shpallë programin e aktiviteteve që do të organizohen në çdo njësi administrative. Gjithashtu me shumë interes pritet që dhe në shkollat e Zerqanit, Shupenzës, Gjoricës, Ostrenit, Okshtunit,Trebishtit, Klenjës, Martaneshit dhe në qytetin e Bulqizës, të fillojnë pregatitjet dhe zbatimi i programeve të hartuara me kujdes e dashuri nga drejtoritë e shkollave e mësuesit. Në zbatimin e aktiviteteve sigurisht që do të kemi pjesmarrje të gjërë të mësuesve e nxënësve, por edhe të të rinjve e të rejave të talentuar të zonave.

Përveç mbështetjes shtetërore u bëjmë thirrje edhe bizneseve që të japin mbështetje financiare për aktivitetet që të mbulohen shpenzimet e nevojshme për realizimin e tyre. Shëmbull i veçantë ishte organizimi i ceremonisë dhe i aktiviteteve të shkollave më 17 maj 2017, kur u bë vendosja e memorialit “Gurët e Skënderbeut” në fushën e Vajkalit, pikërisht në vendin që quhet prej shekujsh me këtë emër nga të gjithë dibranët. Etmond Balja, student me shumë të ardhme në fushën e skulpturës, i cili tani po merret me disa vepra artistike, si kontribut atdhetar. Ai me një memorial artistik, 3 metër të lartë dhe 3.5 metra të gjerë, të titulluar “Gurët e Skenderbeut” tashmë ka zbukuruar anën e Fushës së Vajkalit duke materializuar historinë e qëndresës së shqiptarëve.

Asllan Daxha ishte nismëtari i këtij projekti, i cili edhe me mbështetjen e pakursyer të djemve e biznesmenëve bulqizakë, Bukurosh Koçi, Eduard Keta, Myfit Duriçi, Ismail keta, Diamant Tançi, Azis Keta, Arben Cupi, Artan Lamani, Delfin Tançi, Naim Cupi etj., morën përsipër realizimin e kësaj vepre monumentale e historike.

Ky memorial është bërë shumë i vizituar nga kalimtarët ku ndalojnë për të pushuar, bëjnë fotografi me njerëzit e tyre më të dashur për ti patur si kujtim i veçantë bashkë me historinë e lavdishme të luftrave të vitit 1465 të udhëhequra nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu që pasqyrohet shkurtimisht në pllakën e vendosur po aty. Shpresojmë që ky grup realizues i kësaj vepre do të përmbushë me sukses edhe sistemimin e plotë të ambjentit rreth memorialit, ashtu si dhe është parashikuar në projekt, që të bëhet më atraktiv për vizitorët.

SIMPOZIUME SHKENCOR NEPER SHKOLLA
Në programin e Bashkisë mendojmë se duhen parashikuar organizimi i i simpoziumeve shkencor nëpër shkolla dhe në sallën në qendër (me referatet më të zgjedhura) i ku historian e studiues të sjellin dëshmi e të dhëna të rëndësishme që lidhen me përpjekjet e popullit të trevave të kësaj bashkie e më gjërë në mbrojtjen e lirisë. Duhen evidentuar e vlerësuar nga organet shtetërore dëshmorët që kanë derdhur gjakun për lirinë e atdheut, por edhe njerëz të tjerë që me punët e arritjet e tyre në kohë të ndryshme kanë hyrë në memorjen e popullit të Bulqizës e më gjërë. Kështu në këtë vit jubilar të historisë kombëtare, do të pasurohet arkiva historike e zonës së Bulqizës.

Me këtë rast duhet që populli i të gjithë fshatrave të përjetojë atmosferën festive me ansamble folklorike të vendosur pse jo edhe në garë ku mund të marrin pjesë aktivistë të moshave të ndryshme, por në rradhë të parë të rinjtë e të rejat që shumë bukur po mbajnë të ndezur traditën në dasma e në festa me kostumet popullore të zonës dhe të këngëve e të riteve të dasmave. Mendojmë gjithashtu që të tërhiqet mendimi i disa specialistëve për të bërë edhe investime për vepra artistike e skulpturore që lidhen me ngjarje pikante dhe individë të shquar në momentet më të rëndësishme të historisë në trevat tona. Këshilli Bashkisë Bulqizë duhet të mbështesë me fondet e nevojshme realizimin e programit të veprimtarive në kuadrin e “Vitit të Skënderbeut”.

Kryesia e “Shoqatës Atdhetare Kulturore i Bulqiza” është e gatëshme të japë kontributin e saj me angazhime konkrete në mbështetje të veprimtarive të organizuara nga organet shtetërore dhe drejtoritë e shkollave. Gjithashtu u bëjmë thirrje për bashkëpunim edhe kryesive të shoqatave që e kanë të lidhur veprimtarinë e tyre me zonat e Bashkisë Bulqizë, si “Shoqata Martaneshi”; “Shoqata Gryka e Vogël”; “Shoqata Golloborda”; “Shoqata Bashkësia Dibrane”; etj. Të gjithë së bashku mundemi që të plotësojmë më mirë rritjen e atmosferës festive në këtë “Vit të Skënderbeut” që tashmë ka startuar.

*Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “BULQIZA”

Burimi: Gazeta Bulqiza