
Besimtarët myslimanë festojnë të premten Kurban Bajramin, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin islam, që simbolizon solidaritetin, ndarjen me të tjerët dhe kujdesin ndaj më të nevojtarëve.
Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin para xhamisë së Bulqizës për faljen e Kurban Bajramit, duke shënuar fillimin e kësaj feste të rëndësishme për komunitetin mysliman. Falja u drejtua nga Myftiu i Bulqizës, Sejdin Strazimiri, i cili uroi besimtarët për shëndet, paqe si edhe respektin për familjen, larg dukurive që synojnë dëmtimin e saj. Në përfundim të ceremonisë, qytetarët shkëmbyen urime me njëri-tjetrin.
Festa e Kurban Bajramit shënohet gjithashtu në kohën kur miliona pelegrinë janë mbledhur në Arabinë Saudite për të kryer Haxhillëkun – një nga pesë shtyllat e Islamit – që përfshin rituale pesëditore në vendet më të shenjta për myslimanët. Këtë vit, në Haxhillëk marrin pjesë mbi 1.5 milion besimtarë nga mbarë bota.









