Berisha rrëfen 97-ën: Dy arsyet pse urdhëruam hapjen e depove të ushtrisë

331

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një rrëfim mbi ngjarjet e vitit 1997 në një intervistë për gazetarin Berat Buzhala në emisionin “Komiteti” që transmetohet në RTV Dukagjini. Berisha thotë fillimisht se viti 1997 shkoi keq për shkak të rërzimit të skemave piramidale për të cilat thotë se mabn përgjegjësi.

“Trazirat ishin një sfond i skemave piramidale të cilat ishin përgjegjësi e imja dhe e qeverisë sime, kjo nuk kishte diskutim. Sepse i toleruam. Por ne i hodhëm në gjyq. Problemi ynë është se ne humbën gjyqin në Apel” – thotë Berisha që më pas thotë se hapja e depove të ushtrisë u bë me urdhër nga lart për shkak të disa arsyeve.

“U futën shërbimet e huaja intensive, u futën armë nga jashtë, u liruan nga burgjet njerëz të dënuar 100 vite, dhe erdhën të gatshëm ish-komunistët për të rrëmbyer armë dhe u organizua rebelimi. Kundër kësaj u morën këto masa: E para u përcaktuan zgjedhjet si rrugëzgjidhje, e dyta u hapën depot e armëve. Ata thyen depot në jug në dy vende, ne pastaj hapëm depot në të gjithë vendin. Dy ishin synimet: Krijimi i ekuilibrave dhe mundësia për Kosovën sepse mendonim që ato t’i infiltronim sa më shumë në Kosovë” –thotë Berisha.

Berisha flet më pas edhe për skemat piramidale. Më poshtë një pjesë e intervistës….

“Ne nuk kishim mekanizimin e kontrollit të tregut financiar jo bankar. Zero. Ne nuk kishim njohuritë mbi skemat piramidale. Skemën e parë piramidale në Shqipëri e solli në ’91-shin Ajdin Sejdia dhe pastaj filluan të tjerët. Ne nuk kishim as konceptet e funksionimit të tyre, kështu që ata e fituan gjyqin. Dikush i potencoi ata. Unë kërkoja nga FMN-ja dhe Banka Botërore ndihmë, dhe ata më thanë që e rëndësishme është që të mos implikohen institucionet shtetërore, se kështu le të jenë pasi janë korelare të ekonomive që rriten shpejt, dhe më thanë që i ka edhe Izraeli, etj.

BERAT BUZHALA: Zoti Berisha edhe kundërshtarët e pranojnë se ju i kuptoni shpejt situatat…A e dinit se diçka nuk ishte në rregull? A kishte të afërm tuaj që kishin vënë lekë në këto skema?

SALI BERISHA: E dija 100 % që nuk ishte në rregull. Të afërm të mi nuk di të kishin vënë. Në bisedë private po të tregoj një rast. Thirra një person për ta mbajtur këshilltar, i thash ti nuk besoj të jesh i përfshirë në këto skema. Jo tha mi çoi gruaja paratë. Ato ishin shumë të përhapura. Ishte një histeri e paimagjinueshme e njerëzve se do të bëheshin të pasur nëpërmjet një mekanizmi që askush nuk e dinte.

BERAT BUZHALA: Po atëherë shteti dështoi..

SALI BERISHA: Pa diskutim, ra shteti për nuk ranë mekanizmat anti-krizë, pasi u bënë zgjedhjet. Unë u them bashkëpunëtorëve të mi: Përderisa socialistët kanë bindur një pjesë të shqiptarëve se qeveria ka marrë paratë e tyre ne duhet të largohemi nga pushteti, të hetohemi dhe nëse faktohet diçka e tillë, Partia Demokratike duhet të shkrihet.

BERAT BUZHALA: A ishin demokratike zgjedhjet që u zhvilluan në 97-ën?

SALI BERISHA: Jo, ato ishin zgjedhje për të dorëzuar pushtetin. I fitoi Partia Socialiste, ishte marrëveshje politike. Por ama në fushatë, Fatos Nano u tha shqiptarëve se “unë do tu jap çdo qindarkë”. Unë dola dhe u thash shqiptarëve, “një borxh që nuk është marrë nuk njihet kurrë”. Nuk jap asnjë qindarkë. Dhe unë mund t’i jepja po të doja. Sa për dijeni po të mos ishte ky standard moral unë absolutisht një më një i ktheja paratë. Por po ta bëjë do të thotë të merrja taksat e atij që nuk kishte vënë asnjë lekë në piramida dhe t’ia jepja atij që kishte luajtur bixhoz në piramida. Unë njoha përgjegjësinë. Dhe në fund në vitin 2001 shqiptarët votuan mua me shumicë.

BERAT BUZHALA:  Cili është ai veprim për të cilin jeni penduar në këtë periudhë?

SALI BERISHA: Pendimi im është ky: Pasi humbën në Gjykatën e Apelit dhe fituan kompanitë po të kishim pasur njohuritë do të kishim hetuar nëpërmjet parlamentit, sepse nuk kishte kontroll ndaj tyre. Sepse në fund ne krijuam një komision parlamentar me ligj të veçantë dhe nisëm t’i rrëzojmë njëra pas tjetrën. Të ishte bërë në ’94-ën kjo, Shqipëria nuk do të kishte pasur ’97.