Berberi: Punimet në rrugën e Arbrit, parashikohet të përfundojnë brenda afatit për zgjatjen e kontratës

1139
Ervis Berberi, drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar

Ervis Berberi, drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar, shprehet se punimet në rrugën e Arbrit do të përfundojnë brenda afatit shtesë. Në intervistën e dhënë për revistën Monitor, Berberi shprehet se problem vazhdon të mbetet puna në tunelin e Murrizit.

Më 2 gusht 2022, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku njoftoi shtyrjen me 17 muaj të afatit të punimeve për rrugën e Arbrit – një projekt koncesionar që pritet t’u kushtojë taksapaguesve, bashkë me dy tenderimet e fundit për skarpatat, afro 350 milionë euro. Para se të jepej me koncesion, qeveritë ndër vite kanë paguar rreth 6,5 miliardë lekë, ose 53 milionë euro fatura për ndërtimin e disa segmenteve në Rrugën e Arbrit.

E parashikuar për t’u dorëzuar në prill 2022, me zgjatjen e afatit të punimeve, kontrata e rrugës së Arbrit duhej të përfundonte në shtator të vitit 2023. Në atë kohë, Ballukut do të deklaronte se shkak i shtyrjes së afatit ishin bërë problemet gjeologjike.

Pjesa e intervistës dhënë nga Ervis Berberi, drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar në revistën Monitor.

A do të zbatohen afatet e reja të kontratës për Rrugën e Arbrit?

Ashtu siç e kemi theksuar edhe më parë, problematika në Rrugën e Arbrit lidhet me gjeologjinë e vështirë që është ndeshur në zonë dhe kryesisht me tunelin e Murrizit. Aktualisht po punohet në Tunelin e Murrizit, ku për shkak të kushteve gjeologjike dhe të formacionit gjeologjik, punimet po kryhen me kujdes. Koncesionari vlerëson se me këtë progres, koha shtesë për ndërtimit e tunelit do të arrihet. Ndërkohë që punimet për veprat e tjera të artit, ura dhe tunele kanë përfunduar dhe vijon puna për sistemimin e skarpatave në disa pjesë të rrugës si dhe hedhjen e shtresës së fundit të asfaltit.

Pse ARRSH tenderoi veçmas ndërtimin e skarpateve me vlerë të përafërt 10 milionë euro, në një kohë që këto investime janë detyrime të koncesionarit?

Punimet në skarpata u tenderuan nga ARRSH, si punime të nisura me herët nga ish-DPRR në vitet 2009-2013. Punimet e tenderuara nuk ishin parashikuar në Kontratën Koncesionare/PPP “Rruga e Arbrit”. Për punimet e bëra në skarpata më herët nga ARRSH, kontrata PPP parashikonte përmirësim, plotësim (pastrim kanalesh, ankera dhe vendosje rrjetë teli për mbrojtjen e tyre).

Nisur nga deformimet dhe çarjet e thella të evidentuara në raportin gjeologjik dhe një investigimi të hollësishëm nga një grup ndërinstitucional, skarpatat ishin të paqëndrueshme dhe në ekuilibër kritik. Mbrojtja e skarpateve do të sillte siguri gjatë kalimit të mjeteve. Përveç punimeve për mbrojtjen e skarpateve do të bëhet edhe rivitalizimi i tyre, duke shtuar gjelbërimin me mbjelljen e pemëve dhe bimëve që rriten në të zonat përreth.

Punime në Rrugën e Arbrit, tuneli i Murrizit

A ka Ministria një raport vlerësimi të posaçëm në lidhje me cilësinë e punimeve, nëse ato janë bërë konform standardit të një rruge të kategorisë C?

Po patjetër, është inxhinieri i pavarur që harton raporte periodike mbi ecurinë fizike dhe cilësinë e ndërtimit apo mbi respektimin e standardit të objektit sipas projektit të miratuar.

A ka implikime për financime shtesë zgjatja e kontratës, nisur edhe nga problematika e punimeve në tunel?

Jo, nuk ka një kosto shtesë në vlerë financiare. Kostot janë mbuluar nga Shoqëria Koncesionare. Vlera e kontratës është vlera e miratuar me VKM-në e vitit 2018.
___

Ndërtimi i rrugës 54 kilometra që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet një kontrate koncesionare për kompaninë ‘Gjoka Konstruksion’, filloi në vitin 2018. Ekspert të shumtë në fushën e ndërtimit dhe gjeologjisë, e kanë konsideruar rrugën e Arbrit si punë pa përgjegjësi dhe me ritme të ngadalta. Ndërtimi i saj është përdorur si një kalë beteje elektoralesh në qarkun e Dibrës prej vitit 2009.