Bashkia Bulqizë ka propozuar një shtesë në buxhetin e saj për vitin 2025 në vlerën e afro 26.5 milionë lekë ose afro 270 mijë euro. Ky ndryshim drejtuar për miratim në Këshillin Bashkiak vjen nga fondet e përfituara prej Këshillit të Qarkut Dibër, por edhe të ardhurat e trashëguara nga viti i kaluar. Sipas relacionit, shtesa do të përdoret për të mbështetur aktivitete kulturore, projekte infrastrukturore, investime teknologjike në zyra si dhe nevoja operative të institucionit.
Në relacionin dërguar Këshillit Bashkiak thuhet se bashkia Bulqizë do të shpenzojë 1,7 milionë lekë ose afro 17 mijë euro për dy koncerte: “Bulqiza në festë” me afro 700,000 lekë dhe sjelljen e trupës së spektaklit televiziv “Portokalli” nga Top Channel me “Verë dhe Portokalle” që do të kushtojë 1,000,000 lekë. Ndërkohë që qyteti përballet me mungesa thelbësore në infrastrukturë, shërbime dhe hapësira publike, kjo shumë e konsiderueshme për “aheng” veror duket i tepërt për një bashki të vogël.
Për rikonstruksionin e një lapidari në njësinë administrative Gjoricë, Bashkia Bulqizë ka parashikuar një fond prej 1.059.492 lekësh ose afro 11 mijë euro.
Në relacionin thuhet se nga zbatimi i buxhetit të vitit 2024 dhe tejkalimi i të ardhurave është trashëguar një shumë prej rreth 235,213,300 lekësh, ndërsa në buxhetin e vitit 2025 kjo shumë është llogaritur të jetë rreth 193,520,120 lekë. Gjithashtu është shtuar edhe investimi me objekt “Sistemim dhe asfaltim i disa rrugëve në Bashkinë Bulqizë” në vlerën 15,147,566 lekë. Për këto arsye, kërkohet një shtesë në buxhetin e vitit 2025 në shumën 26,545,614 lekë ose afro 272 mijë euro, me qëllim financimin e projekteve dhe shpenzimeve të mëposhtme:
Studime dhe projekte në shumën 12,000,000 lekë, shpenzime operative 4,865,614 lekë, mbështetje për “Wood Bulqiza” me 2,500,000 lekë, Sport Klub Bulqiza me 5,000,000 lekë, blerje kamion pastrimi në vlerën 2,000,000 lekë dhe shpenzime operative të tjera në vlerë 1,550,000 lekë dhe 800,000 lekë. Megjithatë, vlen të theksohet se kjo shtesë nuk shoqërohet me një analizë të detajuar të efikasitetit të fondeve të mëparshme dhe nevojave reale të komunitetit.









