Basha: Pedagogët mbështesin opozitën, arsimi në gjendje të mjeruar

317

Kreu demokrat Lulzim Basha ka deklaruar se dhjetëra pedagogë i janë bashkuar protestës së PD-së, pasi arsimi është në gjendje të mjeruar. Sipas tij, reforma Rama-Nikolla kufizon lirinë e zgjedhjes së të rinjve dhe cungon lirinë akademike e intelektuale.

“Dhjetëra pedagogë na u bashkuan sot në Sheshin e Lirisë për të diskutuar rreth gjendjes së mjeruar të arsimit të lartë. Ata u shprehën se reforma e arsimit të lartë është bërë për të mbrojtur interesat e klientëve të kryeministrit përkundër atyre të qytetarëve.

Reforma Rama-Nikolla kufizon lirinë e zgjedhjes së të rinjve, kufizon pavarësinë e universiteteve e cungon lirinë akademike dhe intelektuale. Ndërkohë, mbështetja për punë shkencore është zero, sa edhe pjesëmarrja në konferenca shkencore është e pamundur. Pedagogët e universiteteve publike kritikuan faktin se ndërsa gjatë katër viteve rrogat e tyre nuk u rritën, ngarkesa në punë u rrit ndjeshëm.

U premtova pedagogëve një politikë të re arsimore, mbështetje më të madhe me fonde për arsimin publik dhe mbështetjen e studentëve për të studiuar pavarësisht mundësive ekonomike”, shkruan Basha në Facebook.