Banorët e Zall Gjoçaj, protestë para Gjykatës Administrative të Apelit

677
Foto ilustruese

Banorët e fshatrave të Zall Gjoçaj në Mat, do të protestojnë të mërkurën më 30 qershor para Gjykatës Administrative të Apelit, për zvarritjen prej më shumë se një vit të çështjes kundër ndërtimit të Hec-eve në Parkut Kombëtar të Zall-Gjocaj. “Në këto kushte, si gjithnjë, protesta nuk mund të reduktohet në një ankimim dhe të prehet në pritje. Prej atëherë, banorët paralelisht kanë hapur procese të reja gjyqësore dy prej të cilave janë gjithashtu në Gjykatën Administrative të Apelit. Mirëpo me gjithë kërkesat për përshpejtim të gjykimit, ende nuk ka asnjë njoftim nga gjykata për trajtimin e çështjes.” thuhet në deklaratën e grupimit Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj.

Koncesioni për ndërtimin e HEC-eve në zonën e mbrojtur të Zall Gjoçajt e ka zanafillën në vitin 2013, ndërsa leja e ndërtimit në favor të kompanisë Seka Hydropoëer u miratua vjeshtën e vitit 2018. Megjithë këmbënguljen e protestuesve dhe djegien e disa makinerive, kompania ka vijuar punën dhe HEC-et janë afër fundit, edhe pse sipas banorëve dhe së fundmi edhe sipas gjykatës, paligjshmëria në to është e dukshme.

Të dhënat nga dy vendime të Gjykatës Administrative të Tiranës kanë nxjerrë në pah paligjshmërinë e ndërtimit, edhe pse nuk e kanë ndaluar vijimin e punimeve.

Vendimet e marra veçmas nga gjyqtarët Bezart Kaçkini dhe Avni Sejdi në janar të këtij viti, mbi dy padi të ndryshme të banorëve, bien dakord që ndërtimi është brenda zonës së mbrojtur dhe punimet aty janë “në mënyrë taksative të ndaluara”.

E megjithatë, protestuesit kanë siguruar vetëm “fitore të vogla” në Gjykatë, ku njëra prej padive u rrëzua për shkaqe proceduriale, ndërsa padia e dytë solli anulimin e licencës së kompanisë për të prodhuar energji nga HEC-i Zais –që ndodhet brenda zonës së mbrojtur.

Në deklaratën e grupimit “Mbro Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj” thuhet se vonesa e shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Administrative e Apelit, ka sjellë që punimet vazhdojnë në park kombëtar. “Drejtësia e vonuar çdo ditë e më shumë bëhet drejtësi e mohuar. Dëmtimi i parkut kombëtar, tharja e tokave për kilometra të tëra dhe pamundësimi i jetës për dhjetëra fshatra në mungesë të ujit e bëjnë trajtimin e çështjes urgjente. Lënia pa ujë e banorëve nuk është investim, por dëbim.”

Leja për HEC-in në Zall Gjocaj u miratua në tetor të vitit 2018 nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Që prej asaj kohe, banorët kanë zhvilluar disa protesta dhe kanë ngritur padi gjyqësore ndaj institucioneve shtetërore për lejimin e ndërtimit të HEC-it në një park kombëtar.

Sipas raportit të vitit 2020  nga “RiverWatch” dhe “EuroNatur”, në total në Shqipëri janë planifikuar 724 hidrocentrale, ku 290 janë vënë tashmë në punë, ndërsa 24 HEC-e të tjera po ndërtohen. Në shumë projekte, ndërtimi i këtyre HEC-eve ka sjellë konflikt mes komuniteteve lokale dhe kompanive e qeverisë, që kryesisht ka marrë anën e këtyre të fundit.